YLLI AMERIKAN I TREPÇËS PAS NDESHJES ME PEJËN, MERR PËRKRAHJE NGA NJË YLL I NBA-SË DHE NJË LOJTAR I EUROLIGËS
Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça e mposhti dje Pejën në ndeshjen e dytë të serisë gjysmëfinale të basketbollit të Kosovës.
Amerikani, Rodney Purvis ishte figura më e ndritur e këtij takimi, ku përpos si pikëshënuesi më i mirë, ai e realizoi edhe treshen vendimtare që vendosi ekipin fitues të super-sfidës.
Ish-NBA lojtari i Orlango Magic në të kaluarën, që te Trepça erdhi gjatë afatit kalimtar dimëror, ndaj Pejës kishte plotë 36 pikë, 8 kërcime, 5 asiste e 1 vjedhje topi.
Gjithë kjo performancë fantastike e Purvis dje, i ka rënë në sy edhe mikut të tij nga SHBA-ja, John Wall super-lojtar i ekipit nga NBA, Houston Rockets.
Wall që është prej lojtarëve më të pëlqyer nga fansat e NBA-së, pas ndeshjes postoi një fotografi ku shihej Purvis me pikët, kërcimet, asistet e tij në fitoren ndaj Pejës. Kësaj fotografie, Wall i’a shtoi edhe mbishkrimin ”Yessir @gpurvo15!!”, që në shqip i bie ”po zotëri”.
Purvis pas ndeshjes fantastike që e zhvilloi mori përkrahje edhe nga Lorenzo Brown i cili prej vitesh luan në Euroligë me skuadra të ndryshme, ku vitin e kaluar ishte pjesë e Fenerbahçes e sivjet po luan te Unics Kazani në Rusi.
Trepça dje e mposhti Pejën pas dy palë vazhdimeve 107-105 dhe tash i duhet vetëm një fitore për të arritur finalen e madhe të ”play off”-it në ArtMotion Superligën e Kosovës.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.