Basketboll

SUPERLIGA E KOSOVËS E PARA QË E STARTON EDICIONIN E SIVJETMË NË EVROPË

Prishtinë(AsistiOnline) – Superliga e Kosovës do të fillojë javën e dytë të shtator, më saktësisht me 10/11 Shtator, për këtë gjë ka njoftuar zyrtarisht Federata e Basketbollit e Kosovës.

Tashmë është hedhur edhe shorti për këtë edicion, të mërkurën paradite.

Ky është një fakt i çuditshēm sepse kampionati i Kosovës po fillon paralelisht me kompeticioni më prestigjioz për shtete në Evropë, Eurobasketin 2022 i cili do të startoj të enjten me 1 Shtator dhe do të zgjas deri të dielen me 18 Shtator.

Gjatë kēsaj periudhe të Eurobasketit, sipas hulumtimit të AsistiOnline, në shumicën e shteteve anëtare të FIBA Evropës, garat e edicionit të ri do të fillojnë pas përfundimit të evropianit pavarësisht nëse bëhet fjalë për kampionatet nacionale apo garat rajonale por kështu nuk ka ndodhur edhe me basketbollin tonë që do të startojë në mes të Eurobasketit.

AsistiOnline.com ka hulumtuar gjatë tërë ditës së sotme për të kuptuar nëse ka ndonjë kampionat, qoftë kombëtar apo ndërkombëtar që do të startojë në kohën kur fillon apo në mes të Eurobasketit, por nuk ka hasur në asnjë të tillë.

Liga ndërkombëtare më e fortë e basketbollit evropian, Euroliga fillon me 6 Tetor, Ligat spanjolle dhe gjermane fillojnë me 28 shtator, ajo italiane starton me Superkupën e cila mbahet me 28 shtatorit e kampionati atje nis me 2 tetor. Liga e Greqisë ende nuk ka datë zyrtare të nisjes.

Gjersa nga shtetet e rajonit, ABA Liga fillon me 30 shtator, Mali i Zi ende nuk e ka caktuar datën e nisjes, ashtu sikure, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja që nuk i kanë caktuar ende datat e nisjes.

Superliga e Kosovës po del të jetë liga e parë në Evropë që do të nis edicionin e ri, madje për një pjesë të opinionit basketbolldashës, kjo nuk është pritur mirë, pasiqë duke parë zhvillimin e Eurobasketit, por edhe prezencën indirekte të ligës tonë atje, ku paraqitet trajneri i Golden Eagle Yllit në postin e selektorit te Bosnje & Hercegovinës.

Kreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu në një prononcim të shkurtër për AsistiOnline.com, startin e hershëm të sezonit e ka arsyetuar me bashkëpunimin me klubet, gjersa ka përmendur garat evropiane si fakt, se pse duhet të niset më herët.

Ka qenë pajtim i përbashkët me klubet e Superligës që të fillohet më herët me garën në mënyrë që ekipeve pjesëmarrëse të Kosovës në garat evropiane tu sigurohen disa ndeshje para pjesëmarrjes në këto kualifikime nga 21 deri 30 shtator. Kalendari i garave dhe shorti tashmë janë finalizuar për të gjitha garat që ekipet e Kosovës i presin për stinorin e ri”, potencoi Fetahu.

Pro këtij vendimi janë shprehur edhe disa prej klubeve kosovare që marrin pjesë në gara ndërkombëtare si: Golden Eagle Ylli e Trepça, por Ponte Prizreni që bën gara në Kosovë dhe Ligën Unike.

Drejtori gjeneral i kampionit aktual të Kosovës Yllit, Egzon Fetiu tha se për ta kjo nisje është e favorshme.

Fillimi i hershëm në Superligën tonë është më i favorshm për ne për arsyjen që do të jemi dhe në grupe të ndonjërit kompeticon evropian, Champions League ose FIBA Europe Cup”.

Si pozitive nisjen e hershme të stinorit e kanë parë edhe te Trepça.

Mobilizimi dhe organizimi i hershëm i të gjitha ekipeve në pëgjithesi pjesëmarrëse në superligë është indikator që ky sezon garues do të jetë mjaft konkurrues dhe interesant. Fillimi i garave do të ofrojë mjaftë ndeshje interesant ku qysh në fillim do të kemi duele derbi dhe mjaft interesant. Duke marrë parasysh që secili ekip ka pruarje të reja në ekip, me siguri që secilit ekip i duhet kohë të krijohet komponimi i duhur i ekipes”, thanë nga ekipi mitrovicas për AsistiOnline.Ndërsa edhe trajneri i Ponte Prizrenit Arbnor Rifati, fillimin e stinorit po e sheh si të arsyeshëm.

Mendoj që nuk ka shumë rëndësi kjo, pasiqë në Eurobasket nuk merr pjesë Kosova, kështu që ne do ta shikojmë interesin e basketbollit të Kosovës. Nuk kanë rëndësi datat, ekipet kanë filluar përgatitjet, mendoj një kampionat të mirë. Vendimin mbi fillimin e kampionatit më heret e shoh të arsyeshëm, nuk shoh diçka tragjike”, tha ai.

Por, te Prishtina janë shprehur më të rezervuar, për shkak të kushteve jo fortë të favorshme në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, por edhe kohës së shkurtër për përgatitje.

Fillimin e hershëm të garave, sinqerisht nuk e kemi pritur me ndonjë entuziazëm, kjo për shkak të disa arsyjeve: siç është infrastruktura jo e voliteshme në palestër – pra parketi është në gjendje të mjerueshme dhe pothuajse nuk i plotëson nevojat bazike për zhvillim të stërvitjeve. Presim që shumë shpejtë përmes investimit nga MKRS edhe kjo sfidë të anashkalohet, edhe pse investimi është vonuar për shkak të procedurave. Së dyti, koha shumë e shkurtër për përgatitje të ekipit dhe komponimit, por besoj që me punën dhe angazhimin e ekipës time në krye me Ekremin, djemtë do të jenë maksimalisht të përgatitur për aq kohë sa na është dhënë”, u shpreh kryetari i Prishtinës, Burim Maraj.

Xhiroja e parë e edicionit të ri 2022/23 të elitës kosovare të basketbollit e cila sivjet bartë emrin e sponsorit gjeneral Prince Caffe Superliga starton me përballjet Trepça – Ponte Prizreni; Sigal Prishtina – Peja; Bashkimi – Vëllaznimi dhe Rahoveci – Golden Eagle Ylli, ku kryetrajneri i skuadrës kampione të Kosovës do të mungoj në start të kampionatit , së paku në këtē ndeshje, pasi që në Eurobasket ai do ta udhëheq Bosnjën e Hercegovinën. Kur jemi te BeH dhe trajneri Beqiragiq, duhet theksuar se sonte ai pësoi nga Mali i Zi në Podgoricë me rezultat 88:69 në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2023 i cili organizohet vitin e ardhshëm në Indonezi, Japoni dhe Filipine.
/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.