Ëndërr e kahmotshme, Ylli sot e nis rrugëtimin e gjatë në një kompeticion prestigjioz evropian
Prishtinë(AsistiOnline) – Një ëndërr e kahmotshme u realizua jo fortë larg, para dy vitesh kur klubi i Yllit e fitoi trofeun e parë në histori të klubit, atë që e kishin pritur gjenerata të tëra nga themelimi.
E sonte realizohet një tjetër ëndërr, skuadra e Yllit një prej gjërave me të cilat mburret qyteti i Suharekës, sot e nis aventurën e fazës grupore në garat evropiane, shkruan AsistiOnline.com
Kampioni aktual i Kosovës sonte e zhvillon duelin e parë në fazën grupore të njërës prej ligave më të forta ndërkombëtare në Evropë, FIBA Europe Cup.
Ylli në më pak se një orë, ndeshet me skuadrën izraelite, Galil Elion në duelin e parë të grupit A, i cili luhet në ”Sezai Surroi” për faktin se palestra e sporteve ”13 Qershori” në Therandë nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve të karakterit të tillë.
Përkundër që e ka një buxhet më të ulët se kundërshtarët e grupit që përpos Galil Elionit janë edhe dy skuadrat serioze gjermane, Chemnitz dhe Bamberg, Ylli do të synojë të jetë befasi e grupit dhe të kalojë në fazën e dytë.
Në fakt, debutimin në garat evropiane Ylli e kishte bërë pikërisht sivjet, ku luajti në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, por që u eliminua nga skuadra e fuqishme portugeze, Benfica.
Ylli ishte mposhtur nga Benfica në Lisbonë para afro dy javësh me rezultat 67-95 edhe në pjesën e parë i kishte rezistuar maksimalisht ekipi që në radhët e veta ka edhe ish-lojtarë të Euroligës dhe pjesa e parë e ndeshjes ishte mbyllur 42-42 e dallimi ishte bërë në pjesën e dytë me Yllin që kishte udhëtuar drejt Portugalisë i hendikepuar me dy lojtarë si Gëzim Morina e Malcolm Armstead.
Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Ylli u kualifikua direkt në grupet e FIBA Europe Cup, këtu ku do të tentojë ti kalojë minimalisht grupet e më pas pse jo edhe më shumë.
Që nga eliminimi me Benficën, tek Ylli kanë ndryshuar pak gjërat sepse skuadra ka transferuar dy lojtarë të rinjë të huaj si Rashun Davis dhe Jay Threatt e sonte nga lëndimi pritet të kthehet edhe Malcolm Armstead.
Mbetet të shihet se cila do jetë paraqitja e kampionëve aktualë të Kosovës sonte në FIBA Europe Cup, publiku kosovar sigurisht që pret paraqitje dinjitoze dhe pse jo edhe fitore.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.