Basketboll

PRISHTINA I REVANSHOHET RAHOVECIT, MERR AVANTAZHIN E FINALES

Prishtinë (AsistiOnline) – Z Mobile Prishtina ka shënuar fitore të thellë ndaj Rahovecit(106-80), në ndeshjen e tretë të serisë finale të ”Play Off”-it të Superligës së Basketbollit tonë.

Ekipi prishtinas që sonte u drejtua nga Andin Rashica, në mungesë të të suspenduarit Damir Mulaomerovic, ka arritur fitore ndaj Rahovecit pa telashe për ta marrë avantazhin e ndeshjeve të serisë finale në 2-1.

Ndeshja që nisi për pak minuta me vonesë, shkaku i disa problemeve teknike me statistikat e ndeshjes, në çerekun e parë ju takoi kryeqytetasve të cilët me lojë të mirë e mbyllën atë 28-20. E shfaqja e mirë e Prishtinës vazhdoi edhe në çerekun e dytë, ndërsa Rahoveci assesi ta gjente veten sonte, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej 55-42.

Sa i përket pjesës së dytë, pothuajse në tërësi vazhdoi t’ju takonte vendasve. Loja e mirë e kryeqytetasve edhe në çerekun e tretë, bëri që kjo periodë të mbyllej edhe më thellë në favorin e Prishtinës 85-63. Dhe krejt në fund, Prishtina pa telashe arriti që në çerekun e katërt ta fitonte takimin me epilogun finalë 106-80.

Për fitoren e Prishtinës sonte u përkujdesën 5 basketbollistë me pikë dyshifrore: Divine Myles realizoi double, double fenomenalë(27pk, 13krc), Dardan Berisha realizoi 20 pikë, Ahmed Bashir realizoi 17 pikë, Edmond Azemi u dallua me 12 pikë, si dhe i riu Valon Bunjaku shtoi 10 sosh.

Tek Rahoveci nuk mjaftuan për fitore, performancat e mira të lojtarëve si: Qendrës amerikane Andrew Washington që arriti double, double(16pk, 12krc), Fred Richardson që realizoi 19 pikë, James Stanback që shtoi 13 pikë, si dhe me nga 10 pikë kontribuan, Deshon Minnis e Fisnik Juniku.

Me këtë fitore, Prishtina rimerr avantazhin e serisë finale në 2-1 dhe ndeshja e radhës luhet në Palestrën ”Mizahir Isma” në Rahovec.

Komentet janë të mbyllura.