Zatriqi lavdëron trajnerin e Bashkimit, thotë se prizrenasit do ti prishin matematikat sivjet
Prishtinë(AsistiOnline) – Ish-drejtori i Ligës Unike, Dren Zatriqi i ftuar në ASIST-in 518, ka dhënë një deklaratë tejet interesante sa i përket një skuadre të Superligës së Kosovës.
Duke analizuar ekipet e Superligës, ish-basketbollisti nga Peja është ndalur te skuadra e Bashkimit, ku ka lavdëruar punën e trajnerit Audrius Prakuraitis i cili sipas tij, gradualisht e ka rikthyer ekipin tek rruga e fitoreve.
”Trajneri e njeh mirë ligën e Kosovës që është një përparësi ndoshta për një trajner, e dyta është trajner që edhe pas çdo humbje, deklaratat e tij ishin: Se jemi duke u komponuar, jemi duke ardhur aty se ku po kërkojmë, do të thotë se trajneri ka besuar në lojtarët e vetë. Bashkimi ka fond të mirë të lojtarëve, janë duke luajtur një basketboll shumë modern në tentime, gjithmonë janë të rrezikshëm për kundërshtarët, janë lojtarë të cilët angazhohen shumë. Mos të harrojmë se ka lojtarë si: Lekndreaj, Morina, Fis Rugova të cilët qe një kohë të gjatë, janë në ligë edhe luajnë në pozita të ndryshme dhe tërë kohën në rotacion, mund të përdoren në pozita të ndryshme, kështu që ajo është një përparësi e madhe për trajnerin. Ardhja e fundit është një lojtar me shumë eksperiencë, e dimë që nuk është në formën më të mirë, mirëpo në momentin që edhe ai hyn në formë, atëherë Bashhkimi bëhet një prej konkurentëve. Kështu që mendoj se edhe Bashkimi në ”play off” do të jetë një skuadër shumë mirë e komponuar dhe e vështirë të mposhtet. Bashkimi ma merr mendja që hyn në ”play off”, ka përparësi në raport me skuadrat e tjera, mendoj që ka skuadër me shumë rotacion dhe lojtarë që munden me e bë diferencën, për dallim prej skuadrave tjera, me gjithë respekt për skuadra e tjera, por është vetëm prognozë e imja”.
Sipas Drenit, ekipi më i vjetër kosovar, ndezet sidomos në fazat finale të garave dhe ka ndodhur shpeshëherë që ta largojë nga synimi edhe favoritin më të madh.
”Historikisht mundeni me i pa edhe ASIST-at e kaluar, Bashkimi është një skuadër e cila sidomos në garat e Kupës e të ”play off”-it, din të befasojë me një lojë edhe të largon ndoshta favoritin kryesor nga loja, kështu që ”play off”-i ka rregulla tjera, thjesht disa ndeshje luhen dhe përfundojnë. Ende është herët të flitet, nuk kisha pasur qejf me hy në kalkulime, mirëpo loja është e hapur, skuadrat që janë të forta të konsolidume, nuk ka favorit definitivisht”, u shpreh Zatriqi.
/Asistionline.com/
Komentet janë të mbyllura.