Fetahu konfirmon pretendimet e ngritura nga Prishtina, thotë se rastin e kanë inicuar tek organet përkatëse
Prishtinë(AsistiOnline) – Pas pretendimeve të ngritura nga KB Prishtina, lidhur me tentimin për manipulimin e ndeshjes së tretë nga seria gjysmëfinale me Trepçën, ka pasur shumë reagime nga opinioni i basketbollit kosovar.
Lidhur me të gjitha këto zhvillime, AsistiOnline.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu i cili e ka konfirmuar rastin në fjalë.
Në një përgjigjje me shkrim, Fetahu ka deklaruar se gjatë pasdites të së enjtes, kanë marrë një informatë se dy nga tre referët e deleguar për ndeshjen, Prishtina-Trepça, kanë pasur një takim me persona të tretë, pa njoftim dhe pa autorizim nga FBK dhe me të kuptuar rrethanat e ngjarjes, FBK ka ndërruar nominimet e gjyqtarëve me qëllim që të shmangin çfarëdo mundësie të ndonjë ndikimi apo manipulimi për ndeshje.
”Është e vërtetë se gjatë pasdites së ditës së enjte kemi marrë informatë që dy nga tre referët e deleguar për ndeshjen në fjalë kanë pasur një takim të paautorizuar me persona të tretë, pa njoftim dhe informim të FBK. Me të konfirmuar informatën për këtë kontakt të paautorizuar, përkundër faktit që nuk kemi pasur kurrfarë dëshmie për ndonjë keqpërdorim potencial, FBK ka ndërruar nominimin, me qëllimin që të shmangim çfarëdo mundësie të ndikimit apo manipulimit të rezultatit të ndeshjes dhe ruajtjes së integritetit të garës sonë elitare, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë i pandikuar nga faktorë negativë të jashtëm”, ka thënë kreu i FBK-së për AsistiOnline.com
Fetahu, tutje për AsistiOnline.com ka treguar hapat që ka ndërmarrë Federata e Basketbollit të Kosovës, lidhur me rastin në fjalë.
”Në emër të Federatës së Basketbollit të Kosovës kam njoftuar zyrtarisht Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Tjera Negative në Sport për këtë ngjarje dhe kam kërkuar që rasti të zbardhet nga autoritetet e vendit, me qëllim të parandalimit të fenomeneve të tilla në të ardhmen, duke shprehur përkushtimin tonë për garantim integritetit të palëkundur të garave të saj dhe njoftim të të gjitha rasteve të njohura e potenciale të keqpërdorimeve, manipulimeve apo kurdisjeve potenciale tek organet kompetente, pa asnjë përjashtim dhe kufizim, duke qenë se veprimet e papërgjegjshme të individëve të caktuar mund ta dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme imazhin dhe renomenë e sportit të basketbollit në vendin tonë. Njëkohësisht, në emër të FBK i kam njoftuar edhe kryetarët e katër ekipeve pjesëmarrëse të kësaj faze të garës për ngjarjen dhe për arsyet e ndërrimit të nominimit për ndeshjet në vijim, ndërsa nga organet e FBK kam kërkuar vigjilencë të shtuar në ndeshjet në vijim për të garantuar kushte të barabarta të garimit në terrenet e basketbollit”, thuhet në përgjigjjen e Fetahut, dhënë për AsistiOnline.com
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.