Prishtinë(AsistiOnline) – Kjo mesjavë sjell fillimin e fazës grupore në kompeticionin prestigjioz evropian, FIBA Europe Cup.
Në këtë turne sivjet marrin pjesë dy ekipet kosovare, Peja dhe Trepça.
Kampionia aktuale, Peja e fillon të mërkurën misionin e kalimit të kësaj faze, në udhëtim te skuadra gjermane, Niners Chemnitz me të cilët përballet në Gjermani nga ora 19:00 e mbrëmjes.
Chemnitzi është një ekip gjerman i cili u kualifikua në grup direkt, derisa e ka nisur sezonin në Bundesligën gjermane me bilanc tejet pozitiv prej 3 fitoreve e vetëm 1 humbje dhe atë të ngushtë.
Në ndeshjen e parë të sezonit në Gjermani, Chemnitzi kishte pësuar ngushtë nga kampioni aktual Ulmi, por në tri ndeshjet e fundit ka shënuar fitore ndaj Bambergut, Braunschweigut dhe në Kupë ndaj Giessienit.
Ndërsa, Peja u kualifikua direkt në grup, pas eliminimit në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe verdhezinjët po zhvillojnë një start mjaftë të mirë në Superligën e Kosovës me 4 fitore nga 4 ndeshje, derisa ishin edhe në finale të Superkupës.
Megjithatë, pritet që kjo të jetë një përballje shumë e vështirë për klubin tonë kosovar, por urojmë të ketë fat dhe të bëjë paraqitje dinjitoze.
Trepça këtë xhiro pushon, për faktin se ndeshja me Galil Elion është pezulluar shkaku i luftës që po zhvillohet në Izrael.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.