Valon Bunjaku me të drejtë po shihet si lojtari më i dalluar i finales së katërt
Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra nga Theranda, Golden Eagle Ylli mbrëmë ka arritur të fitojë ndeshjen e katërt të serisë finale ndaj Trepçës.
Ekipi therandas e mposhti Trepçën në ”13 Qershori” me rezultat 75-71, duke bërë që kampioni i Kosovës të vendoset të enjtën në Mitrovicë.
Shumë prej fansave të basketbollit e shohin vazhdimisht amerikanin Alonzo Verge Jr si lojtarin më të mirë të ndeshjeve te Ylli.
Por në sytë e ekspertëve të basketbollit mbrëmë ka rënë në sy, paraqitja spektakolare e ”lojtarit të detyrave” Valon Bunjakut i cili në momentet vendimtare të sfidës me Trepçën, shënoi pikë, bëri mbrojtje të çeliktë dhe vodhi topa të shumtë, duke bërë që kjo në fund definitivisht të bëjë dallimin.
Bunjaku ishte pothuajse 100% i saktë nga pozitat ku tentoi, duke huqur vetëm një gjuajtje për tre pikë, derisa realizoi tre (3) dy pikësha nga po aq tentime, e kishte 4 kërcime, prej tyre 3 në mbrojtje e 1 në sulm. Valoni kishte edhe 1 asist, por ç’është më e rëndësishmja vodhi 3 topa në momentet vendimtare të ndeshjes e cila gjatë tërë kohës ishte shumë e ngushtë.
Nga e gjithë kjo mund të vihet në përfundim, se Valoni mbrëmë e kreu për mrekulli detyrën me të cilën e ngarkoi trajneri dhe padyshim i takon epiteti i lojtarit të ndeshjes.
Kjo performancë e Valonit e dëshmoi faktin se ai mbetet prej më të mirëve që ka basketbolli kosovar dhe natyrisht më i miri prizrenas.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.