Sot është mënyra më e bukur dhe më emocionuese për ta përmbyllur këtë edicion dhe me të drejtë mund të cilësohet ky si edicionin më dramatik dhe më fantastik basketbollistik në historinë 34-vjeçare të basketbollit të pavarur kosovar nga viti 1991/92.
Sa për informatë tuajën, edicioni 2025/26 është kampionati i 32-të i basketbollit të pavarur kosovar nga viti 1991/92, pasi më 1997/98 dhe 1998/99 kampionatet nuk u zhvilluan për shkak të luftës, ndërsa ai i vitit 2019/2020 u pezullua për shkak të Covid-it. Prandaj, po e them se në historinë e basketbollit të pavarur kosovar asnjëherë nuk kemi pasur një garë kaq dramatike dhe fantastike gjatë gjithë vitit, ndërsa mënyra më e bukur dhe më e duhur për ta përmbyllur një edicion të këtillë është pikërisht kjo që po ndodh sonte: në tri palestra njëkohësisht, tri ndeshje vendimtare dhe dramatike që vendosin se kush do të bjerë, kush do të mbijetojë dhe kush në Play-Off do të shkojë: Prishtina, Vëllaznimi apo Rahoveci.
Për më tepër, Peja dhe Golden Eagle Ylli po luftojnë për pozitën e katërt dhe përparësinë e fushës vendase, andaj një skenar të këtillë nuk do të mund ta shkruante as vetë Alfred Hiçkoku, regjisori dhe mjeshtri i dramave dhe filmave triler. /AsistiOnline.com/



