Pas përfundimit të sezonit të rregullt në Superligën e Kosovës dhe ndeshjeve çerekfinale të “Play-off”-it, tashmë vëmendja kalon te gjysmëfinalet, ku katër skuadra do të luftojnë për titullin e kampionit.
Në garë për trofeun më të rëndësishëm të sezonit mbeten katër ekipet më të mira, ndërsa pritet një fazë intensive dhe mjaft interesante deri në finalen e madhe.
Gjysmëfinalet hapen të mërkurën me përballjen mes Bashkimit dhe Borës, një duel që pritet të jetë shumë i luftuar. Prizrenasit e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e dytë, ndërsa prishtinasit në të tretin. Në çerekfinale, Bora arriti një sukses të madh duke eliminuar Sigal Prishtinën.
Bashkimi ka vetëm një titull kampioni në histori, të fituar në vitin 2018, ndërsa për Borën ky është një edicion historik, pasi për herë të parë ka arritur në “Play-off”.
Ndërkohë, përballja tjetër gjysmëfinale sjell një klasik të basketbollit kosovar, mes Trepçës dhe Pejës.
Mitrovicasit e përfunduan sezonin si liderë dhe hyjnë në këtë fazë si kampionë në fuqi dhe fitues të Kupës, ndërsa Peja synon rikthimin te trofetë. Trepça regjistroi 25 fitore dhe vetëm tri humbje në sezonin e rregullt, kurse Peja, edhe pse përfundoi e pesta, në çerekfinale eliminoi Golden Eagle Yllin pas tri ndeshjeve.
Trepça numëron gjashtë tituj kampioni, përfshirë dy të fundit radhazi, ndërsa Peja ka pesë tituj, me të fundit të fituar në vitin 2023.
Orari i ndeshjeve – Gjysmëfinalja I:
- E mërkurë, 19:30: Bashkimi – Bora
- E enjte, 19:30: Trepça – Peja



