Basketboll

VASHAT E BASHKIMIT, KAMPIONE VJESHTORE NË SUPERLIGËN E FEMRAVE

Këtë vikend që shkoi, ka përfunduar xhiro e fundit e gjysmëstinorit të parë në Superligën e femrave dhe Bashkimi tash dimëron si kampion vjeshtor.

Gjatë vikendit, Bashkimi ka shënuar fitoren e dhjetë nga dhjetë ndeshje të zhvilluara, duke mundur Penzën në udhëtim me rezultat 50:78 (13:22, 14:18, 12:21, 11:17). Kjo ishte fitorja e dhjetë për vashat prizrenase që përmbyllën stinorin vjeshtor pa asnjë humbje, duke qenë e vetmja në elitën e femrave pa humbje, ndërsa Penza ka gjashtë fitore dhe tri humbje.

Fitore këtë xhiro si mysafire ka arritur edhe Trepça e Mitrovicës, që ka mposhtur Vëllaznimin e Gjakovës 41-47. Vashat mitrovicase, mbyllën edicionin vjeshtor me gjashtë humbje e katër fitore. Ndërsa, Vëllaznimi ka dhjetë disfata, nga po aq ndeshje të zhvilluara.

Dhe në ndeshjen e fundit në Superligën e femrave, për edicionin vjeshtor, Mabetex Prishtina ka mundur bindshëm në udhëtim Kastriotin me rezultat 36:121 (5:27, 8:30, 15:23, 8:31). Mabetex Prishtina e përfundon stinorin me tetë fitore dhe dy humbje, duke u renditur në vendin e dytë, kurse Penza me gjashtë fitore dhe katër humbje në vendin e tretë.

Komentet janë të mbyllura.