FENERBAHÇE KONFIRMON NJË LOJTAR TË EKIPIT TË PREKUR ME COVID-19
Prishtinë(AsistiOnline) – Pandemia globale e njohur si Coronavirus(COVID-19) që ka kapluar botën, ka prekur edhe botën e sportit madje edhe atë të basketbollit.
Ditën e djeshme skuadra e famshme turke e basketbollit, Fenerbahçe ka konfirmuar se katër anëtar të skuadrës së saj, prej tyre edhe një lojtar i ekipit janë infektuar me Coronavirus. Përveç lojtarit, një anëtar i stafit teknik dhe dy anëtar administrativ të ekipit janë testuar pozitivisht për COVID-19. Klubi kishte rregulluar për testim të gjithë punonjësit e tij të basketbollit më 21 mars përmes Ministrisë Turke të Shëndetësisë.
Klubi turk në komunikatë tha se, duke respektuar privatësinë e pacientëve, nuk do të identifikojë të prekurit me Coronavirus, përfshirë edhe lojtarin e ekipit.
Përkundër infekimit me Coronavirus anëtarët e ekipit turk janë në gjendje të mirë shëndetësore. Përveç punonjësit administrativ i cili ishte shtruar më parë në spital, të infektuarit e tjerë me COVID-19 nuk kanë paraqitur simptoma klinike dhe as nuk kanë nevojë për shtrimin në spital, thuhet në njoftimin e klubit.
“Sportistët dhe punonjësit tanë po ndjekin proceset e shërimit në shtëpitë e tyre nën izolim dhe gjendja e tyre monitorohet rregullisht nga ekipet tona të kujdesit shëndetësor,” tha klubi turk.
Komentet janë të mbyllura.