Basketboll

KBF VËLLAZNIMI ME FITOREN E DYTË SEZONALE NDAJ PRISHTINËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Vëllaznimi i Pal Sylës është treguar edhe një herë, arrë e fortë përballë, KBF Prishtinës, në derbin e xhiros së shtatë tek Superliga e femrave.

Vashat gjakovare kanë arritur të mposhtin Prishtinën në ”Shani Nushi” me rezultatin përfundimtar të ndeshjes, 83-75.

Sa i përket rrjedhës së ndeshjes, vendimtar ishte çereku i parë, ku Vëllaznimi e fitoi me 8 pikë diferencë. Ndërsa në tri periodat e ardhshme, Prishtina e ndjeku rezultatin, por pa arritur që të marrë kontrollin e ndeshjes dhe në fund, gjakovaret iu gëzuan fitores së dytë sezonale, ndaj Prishtinës.

Si zakonisht sivjet, dy amerikanet ishin lojtaret më të dalluara në fitoren e Vëllaznimit: Raven Baker me 37 pikë e 12 vjedhje topash, Sarah Mgbeike me 16 pikë e 18 kërcime, si dhe vendorja, Rina Hoda me 15 pikë.

Tek Prishtina s’mjaftuan për fitore, Enisa Kamerolli me 23 pikë, Besjana Martinaj me 19 pikë e Era Shatri me 13 pikë.

Pas xhiros së shtatë, Vëllaznimi gjendet në pozitën e dytë me 13 pikë, 6 fitore e 1 disfatë. Ndërsa, Prishtina pozicionohet në vendin e tretë me 9 pikë, 3 fitore e 3 humbje, si dhe një ndeshje të pazhvilluar.

/AsistiOnline.com/

 

 

 

Komentet janë të mbyllura.