ARBEN FETAHU KANDIDATI I VETËM PËR TË PARIN E FBK-SË
Prishtinë(AsistiOnline) – Kryetari i tanishëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu pritet të jetë kandidati i vetëm për të parin e këtij institucioni edhe për një mandat tjetër, pasiqë ka qenë kandidati i vetëm në afatin për nominime për kryetar të FBK-së, i cili është mbyllur edhe zyrtarisht në këto momente.
Fetahu ditë më parë e konfirmoi kandidaturën e tij, për të parin e FBK-së, për një mandat të plotë dhe ky emër pritet vetëm të votohet në kuvendin zgjedhor nga zyrtarët e klubeve, sepse do të jetë pa kundër-kandidat.
Në komunitetin e basketbollit kosovar, ditë më parë u përmend emri i ish-kreut të FBK-së, Fatmir Gashi si kundër-kandidat eventual i Arben Fetahut, por një gjë të tillë e ka hedhur poshtë, vetë Fatmir Gashi i cili ditë më parë u zgjodh, kryetar i KB Pejës.
“Jo, nuk do të kandidoj për kryetar të FBK-së. Kam pasur kërkesa nga disa anëtarë të FBK-së, por pas analizimit së situatës kam vendosur të mos kandidoj. I kam pasur edhe nominimet dhe pastaj kam kërkuar nga ata që më përkrahnin të mos i dorëzojnë ato, sepse mora vendimin të mos kandidohem. Arsyeja kryesore e tërheqjes time ka qenë që të mos vijë deri te ndarjet në mes të anëtarëve dhe harmonisë në FBK. Krejt çka duhet tani është shtyrja e basketbollit përpara dhe postet janë në rend të dytë. Unë do të vazhdoj të mbetem fuqishëm përkrahës i basketbollit në Pejë dhe Kosovë. Mendoj se ka ardhur koha të veprojmë së bashku”, ka thënë Gashi për gazetën, Koha Ditore.
Për të kandiduar për postin e të parit të FBK-së, kandidatët eventualë është dashur të kenë së paku 7 nominime nga klubet kosovare dhe afati për ta bërë këtë gjë, është mbyllur sot në këto momente, konkretisht në 16:00. Ndërsa zgjedhjet e FBK-së, do mbahen më 18 dhjetor.
Të kujtojmë se Arben Fetahu udhëheqjen e FBK-së e mori në vitin 2018, pas dorëheqjes së Erolld Belegut dhe sipas të gjitha gjasave, institucionin më të lartë të basketbollit në vendin tonë, Fetahu do ta drejtojë edhe në 4 vitet e ardhshme.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.