Basketboll

PERANI: GJENDJA E BASKETBOLLIT TË KOSOVËS ËSHTË SHQETËSUESE

Prishtinë(AsistiOnline) – Një numër shumë i madh trajnerësh janë ndryshuar sivjet nga skuadrat e Superligës së Kosovës me pretekstin se nuk ka rezultate nga ta dhe ndaj klubeve tona, tash po mbizotëron një mosbesim i madh nga opinioni i basketbollit.

Ku në fakt qëndron problemi? AsistiOnline.com e ka shtjelluar këtë tematikë, duke kontaktuar me disa prej njohësve më të mëdhenjë të basketbollit të Kosovës të cilët më parë kanë luajtur aktivisht me shumë sukses, ndërsa ushtrojnë edhe rolin e trajnerëve poashtu me shumë sukses.

Në lidhje me ndryshimet e shumta të klubeve kosovare së fundmi, ka folur edhe një ish-lojtar i madh dhe trajner që tash jeton dhe vepron në Austri. Vllaznim Perani e sheh si shumë dëshpëruese punën e klubeve në raport me trajnerët vendorë, por edhe lojtarët që kanë pak hapësira dhe të gjitha këto sipas tij, po ndikojnë negativisht në basketbollin e Kosovës.

Unë nuk jam drejtpërdrejt i kyçur në ngjarje, por sa po më lejon koha duke i përcjell mediumet e shkruara dhe ato televizive, kisha me thënë se kjo çka po ndodh për momentin është shqetësuese për baskebollin e Kosovës. Është për tu çuditur kjo tendencë e shkarkim – ”ngarkimit“ dhe rokadave të trajnerëve në këtë kohë pandemie, ku sporti në gjithë botën luhet në këto kushte të jashtëzakonshme, pa shikues, pa plane afatgjata, por po më duket se udhëheqësit e klubeve po mundohen me çdo kusht duke i bërë këta hapa të arrijnë rezulatate të pa mundura për kohë të shkurtë… po humbet kontinuiteti, qëllimi dhe caku… këtu po pësojnë lojtarët vendorë (të paktë) dhe poashtu të huajt të cilët janë gjithmonë me biletë kthyese në xhepa e mos të flasim për lojtarët e rinjë të cilët kanë shumë shumë pak hapësirë, sa për të mos thënë fare.

Unë besoj në trajnerët vendorë  dhe jam i bindur se nëse ju jepet hapësirë, kohë dhe durim se me siguri do të dëshmohen siç janë dëshmuar në të kaluarën. Ky është gabim në hapa i cili qon në rrugë qorre. Klubet po gabojnë dhe po i nënçmojnë trainerët vendorë e sidomos në rastet kur nuk gjejnë trajnerë me ”emër“ nga jashtë e ju japin ”hapsirë“ trajnerëve të rinjë vendorë sa për sy e faqe.

Përveç kolegut, Davitkov (me të cilin kemi qenë kundërshtarë si lojtarë) i cili ishte i dëshmuar si trajner në Maqedoni të tjerët nuk i njoh personalisht, por vetëm nga mediat. Sa janë profesionistë s’kisha dashur që të paragjykoj, sepse edhe atyre ju nevojitet kohë më e gjatë për tu dëshmuar. Edhe ata janë të hendikepuar, sepse e kanë shumë vështir për kohë të shkurtë të komponojnë ekipin e që herë, herë nuk kanë as çasje në caktimin e rosterit. Apo si u pa me trajnerin e ri nga Zara, Franko Sterle i cili u vendos para aktit të kryer në ndeshjen e fundit të Bashkimit në Mitrovicë”, tha krejt në fund, Perani.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.