Basketboll

ASVEL LYONI BËN GODITJEN E MADHE, NËNSHKRUAN ME DE COLON

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e madhe franceze, ASVEL Lyon e ka bërë një goditje të madhe në tregun e transfereve të verës.

Kampionët e Francës për stinorin që sapo u mbyll, kanë nënshkruajtur me plejmejkerin që ka të fituar dy tituj të Euroligës, Nando DeColo.

ASVELI dhe DeColo kanë nënshkruar kontratë për dy sezonet e ardhshme.

Veterani francez është rikthyer për të luajtur në vendin e tij për herë të parë, pasi filloi karrierën me Cholet-in në stinorët 2006-2009.

“Faleminderit Nando De Colo që besove në projektin tonë”, shkroi në Twitter presidenti i ASVEL, Tony Parker. Ai ishte shok skuadre me De Colo në San Antonio Spurs dhe në kombëtaren franceze. “Po hyjmë në një epokë të re. Në vitin 2013, së bashku fituam titullin e parë të EuroBasket në historinë e kombëtares franceze. Në vitin 2023, shpresoj të fitojmë titullin e parë të EuroLeague në histori me ASVEL”, u shpreh Parker.

De Colo i bashkohet skuadrës franceze pas tri viteve të kaluara me Fenerbahçe Bekon në Turqi.

Në vitin 2016, De Colo kishte fituar çmimin e MVP-së në sezonin e rregullt të Euroligës dhe ishte përzgjedhur MVP i Final Four-it. pasi CSKA Moska e kishte fituar kampionatin. Ai u bë edhe një herë kampion i Euroligës në vitin 2019 me CSKA-në, para se të transferohej te Feneri.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.