SUPER-EKSKLUZIVE: ZELJKO CIGLAR PO RIKTHEHET NË KOSOVË?
Prishtinë(AsistiOnline) – Një prej trajnerëve të mirënjohur nga Kroacia, Zeljko Ciglar mund të rikthehet në basketbollin e Kosovës, pas disa viteve.
Sipas asaj që ka mësuar AsistiOnline.com, kroati është afër marrëveshjes me ekipin e Bashkimit të Prizrenit në konkurencën e femrave dhe me gjasa reale, atë mund ta shohim përsëri në basketbollin e Kosovës.
Ciglar është 68 vjeç, ai ka një karrierë të pasur si trajner që nga viti i largët 1974, duke drejtuar në të kaluarën ekipe të shumta nga Kroacia, sikurse te meshkujt edhe te femrat, por ka punuar shumë edhe në Slloveni, Bosnje, Austri dhe Kosovë, duke fituar trofe të shumtë, por edhe plotë çmime në rrafshin individual si trajneri i vitit në Slloveni, Kroaci etj.
Trajneri i lindur në Slavonski Brod, ka punuar në Kosovë gjatë vitit 2004 me ekipin historik të femrave, KB Universitetit (tashmë i shuar), ku ishte shpallur kampion i vendit, kishte fituar Kupën e Kosovës dhe kishte garuar në ligën ndërkombëtare, EWWL Trocal League (NLB), madje duke përfunduar në vendin e tretë të garës në ”Final Fouri”.
Në përvojën e fundit, Ciglar ka qenë selektor i Kroacisë U16 për femra në vitin 2021.
Natyrisht që rikthimi i Ciglar në Kosovë, do të ishte lajm i bujshëm për basketbollin e Kosovës, sepse edhe përkundër viteve të konsiderueshme që ka mbushur, basketbollistet kosovare dhe në veçanti ato prizrenase, do të përfitonin shumë nga ai.
AsistiOnline.com do të vazhdojë të ju mbajë të informuar në lidhje me zhvillimet te skuadra e Bashkimit për femra, klub i cili me ardhjen e kryetarit Rrahman Përteshi u konvertua në skuadër të trofeve.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.