Basketboll

SUPER-EKSKLUZIVE: DARDAN BERISHA RIKTHEHET TE PRISHTINA

Prishtinë(AsistiOnline) – Dardan Berisha me shumë gjasa do të rikthehet në ekipin ku fitoi gjithçka, tek Prishtina.

Njëri prej lojtarëve më të mirë në historinë e basketbollit kosovar, pritet të nënshkruajë me klubin më të trofeshëm kosovar në tentim për të rikthyer lavdinë e dikushme të të dyja palëve prej kohësh.

Siç ka mësuar ekskluzivisht AsistiOnline.com, transferimi i Berishës te Prishtina, është çështje pothuajse e kryer dhe gjithçka mund të konfirmohet shpejtë edhe zyrtarisht.

Berisha në dy edicionet e fundit ishte pjesë e klubit nga vendlindja, Pejës me të cilët në edicionin e fundit u paraqit me mesatare prej 19.7 pikëve, 5.4 asisteve e 3.9 kërcimeve për ndeshje, po këtë edicion me Pejën, Berisha fitoi edhe Ligën Unike Mbarëkombëtare.

Dardani ka një karrierë fantastike si lojtar, duke luajtur për shumë ekipe ndërkombëtare si: Cibona (Kroaci), Juvecaserta (Itali), Nymburk (Ceki), Anwill, Polfarmex Kutno (Poloni), Caceres (Spanjë). Në Kosovë, Berisha ka luajtur për Prishtinën (2013/15, 15/16, 2017, 2018/19 ) dhe Pejën (2006/07, 2012/13, 2019/22).

Ndërsa me reprezentacione, përpos Kosovës ai ka luajtur edhe me Poloninë në Eurobasket gjatë vitit 2011, madje në një prej ndeshjeve i kishte siguruar fitoren ekipit me treshe ndaj Turqisë.

Sukseset më të mëdha ekipore, Berisha i ka me Prishtinën, ku kishte arritur të fitojë dy herë titulit e kampionit të Kosovës, një herë Kupën, një herë Ligën Ballkanike, 2 herë MVP i Superligës së Kosovës etj.

Sa ju përket garave evropiane, Prishtina dhe Dardani e mbajnë epitetin e dyshes më të sukssesshme kosovare, pasi janë të vetmit nga ekipet tona që kanë arritur në top-16 ekipet më të mira në FIBA Europe Cup, madje ishte pikërisht Dardan Berisha që në duelin vendimtar ndaj ekipit të madh turk, Pinar Karsyiakës, i siguroi fitoren ekipit prishtinas.

E tash, duket se radha është për një tjetër histori, ndoshta? Dardani rikthehet në Prishtinë me qëllimin e vetëm që ta kthejë Prishtinën tek trofetë pas dy stinorëve.

/AsistiOnline.com/

 

 

Komentet janë të mbyllura.