Pas përballjes së fundit gjysmëfinale ndaj Trepçës, ka reaguar KB Peja me një deklaratë publike, duke theksuar rëndësinë e kulturës në sport dhe duke ngritur shqetësime për sjellje të caktuara gjatë ndeshjes së djeshme.
Nga klubi pejan u theksua se basketbolli, përtej rezultatit, duhet të përfaqësojë edhe vlera dhe kulturë sportive, ndërsa përgjegjësia më e madhe për këtë, sipas tyre, bie mbi vetë sportistët në parket.
Në reagim u përmend rivaliteti i madh mes Pejës dhe Mitrovicës, i cili sipas klubit ka arritur nivele të larta, duke e bërë të vështirë kontrollimin e çdo sjelljeje individuale në tribuna.
Megjithatë, KB Peja shprehu mirënjohje për kryesinë e Trepçës për pritjen e organizuar para, gjatë dhe pas ndeshjes, duke e cilësuar atë si shembull korrekt të bashkëpunimit ndërmjet klubeve.
Në anën tjetër, reagimi përqendrohej edhe te sjellja e njërit nga lojtarët e Trepçës Drilon Hajrizi, i cili sipas klubit verdhezi ka tejkaluar kufijtë e profesionalizmit me fyerje dhe reagime të papranueshme të drejtuara ndaj bankës dhe skuadrës së tyre. Sipas deklaratës, bëhet fjalë për një basketbollist që më herët ka qenë pjesë e klubit pejan dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte.
Klubi pejan shtroi pyetje publike mbi mesazhin që sjellin sjellje të tilla, duke theksuar se sporti duhet të promovojë shembuj pozitivë dhe jo të nxisë tensione apo urrejtje, sidomos kur në parket ka edhe lojtarë që ndajnë të njëjtin qytet apo përfaqësojnë së bashku ekipin kombëtar.
Sipas reagimit të Pejës, Hajrizi kishte kontribuar rritjes së tensioneve edhe pas ndeshjes së zhvilluar në Pejë, duke ndikuar në atmosferën e krijuar në Mitrovicë.
Në përfundim, KB Peja shprehu shpresën që profesionalizmi i treguar nga pjesa tjetër e akterëve – përfshirë kryesinë e Trepçës, lojtarët e tjerë dhe stafin teknik – të reflektohet edhe nga individë të caktuar.
Nga klubi gjithashtu u bë thirrje për një tjetër përballje sportive dhe korrekte, duke ftuar tifozët për ndeshjen e radhës që do të zhvillohet të dielën në Pejë.
Të kujtojmë se edhe në Pejë, vendasit u akuzuan se fyen dhe ofenduan Hajrizin edhe me emrin e vajzës së tij e cila është e mitur.
Sido që të jetë, sjellje të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen njëherë e mirë. Në të kundërtën, ato tejkalojnë përmasat sportive dhe nuk i shërbejnë misionit të sportit, i cili ka për qëllim të bashkojë njerëzit, jo t’i ndajë, aq më pak të nxisë përçarje, fyerje dhe ofendime vulgare nga më të ulëtat.
/AsistiOnline.com/



