Basketboll

S’MJAFTOI PERFORMANCA KOZMIKE E WHITE, TREPÇA TRIUMFON NË ”KARAGAÇ”

Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça e Lubomir Minchevit e ka fituar përballjen kryesore të xhiros së 11-të në elitën e basketbollit kosovar ndaj Pejës.

Mitrovicasit kanë triumfuar ndaj Pejës në një super-përballje dhe me shumë kthesa e me rezultatin përfundimtar e dramatik 87-93.

Ishte pikërisht Trepça ajo që e nisi më mirë këtë sfidë, duke fituar çerekun e parë 20-28, derisa në të dytin Peja u këndell duke e fituar 33-23 e pjesa e parë u mbyll 53-51 në favorin e vendasve nga Peja.

Në pjesën e dytë, Peja vazhdoi lojën e mirë të çerekut të dytë duke e fituar të tretin 25-18, por kur u mendua se verdhezinjët po shkonin drejt fitores, mysafirët e udhëhequr nga Ty Cockfield ndezën motorët dhe me ‘bërtimat’ e Minchevit që duket se i motivuan, arritën ta përmbysin rezultatin e ta fitojnë krejtësisht duelin.

Në këtë triumf me rëndësi të madhe për Trepçën sonte u dalluan, Ty Cockfield me 25 pikë, Drilon Hajrizi me 15 pikë e 9 kërcime, Gerald Blackshear me 12 pikë e 10 kërcime, Andrew Gordon me 12 pikë e 5 kërcime dhe Amin Hot që poashtu shtoi pikë dyshifrore(10).

Te Peja nuk mjaftoi për fitore, performanca astronomike e transferit të ri, Tyrone White i cili në debutim sonte shënoi plotë 32 pikë prej tyre 7 treshe, kishte edhe 13 kërcime, 7 asiste e 3 vjedhje topash. Ndërsa, Stephen Maxwell shtoi 24 pikë, Erdem Ilter 14 dhe Arian Qallaku 10 sosh.

Pas xhiros së 11-të, Trepça rikthehet si e para në tabelë me 20 pikë, 9 fitore e 2 humbje. Derisa, Peja gjendet e 5-ta me 17 pikë, 6 fitore e 5 humbje.

Në javën e ardhshme, Trepça e pret Bashkimin e Peja i shkon Prizrenit 16.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.