Basketboll

5-SHJA DHE MVP NGA XHIRO 11-TË NË ELITËN KOSOVARE, MVP-JA ASTRONOMIK…!

PERFORMANCË E MADHE NË DEBUTIM NGA MVP-JA...

1.I.KOLJEVIQ (PZ16), 2.A.TOOMER (BASH), 3.J.LEWIS (BASH), 4.T.WHITE (PEJ), 5.U.ZENELAJ (PZ16).

1. Plejmejkeri i xhiros 11 në ArtMotion Superligën e Kosovës shpallet Ivan Koljeviqi i Prizrenit 16. Koljeviq ishte njëri nga basketbollistët me efikasitetin më të madh në fitoren e vështirë të Prizrenit 16 ndaj Dritës, pasi shënoi 23 pikë, prej tyre 6 treshe nga 12 tentime, derisa për 2 pikë, kishte 2 realizime nga 6 tentime dhe kishte 1 gjuajtje të lirë nga 2 tentime, Koljeviq pati edhe plotë 14 asiste, 5 kërcime e 1 vjedhje topi, për indeksin më të lartë nga plejmejkerët e kësaj xhiroje +29.

2. Fundori i javës këtë xhiro të elitës kosovare ishte Avi Toomer i Bashkimit që ishte më meritori pse portokallinjët triumfuan ndaj Rahovecit, ai shkëlqeu me plotë 24 pikë, 9 kërcime, 4 asiste dhe 2 topa të vjedhur. Toomer kishte efikasitet perfekt nga gjuajtjet e lira(5/5), derisa realizoi 3 treshe nga 8 tentime dhe shënoi 5 dyshe nga 7 tentime, kjo performancë i dha atij njërin prej indekseve më të larta të xhiros në Art Motion Superligë prej +32.

3. Në pozitën e alosë në xhiron e 11-të në ArtMotion Superligë, këtë javë e kemi edhe një lojtar të Bashkimit, Julien Lewsin. Basketbollisti amerikan realizoi double-double prej 22 pikë e 10 kërcimeve, por kishte edhe 6 asiste e 4 topa të vjedhur në duelin përballë Rahovecit. Lewis në këtë fitore meritore të Bashkimit 3 treshe nga 5 tentime, 3 gjuajtje të lira nga 4 tentime dhe 5 dyshe nga 11 tentime. Kjo bëri që ai të jetë aloja më e mirë e kësaj xhiroje të elitës kosovare me indeksin prej +31.

4. Në pozitën e alo-qendrës këtë javë gjendet fantastiku i ri i Pejës, Tyrone White. Ky djalosh që në debutim me Pejën, tregoi se vlen shumë dhe duket zëvendësim tepër i qëlluar i Shirkos te verdhezinjët. Alo-qendra amerikane edhe pse nuk mjaftoi për fitoren e Pejës ndaj Trepçës arriti shifra magjike dhe vetëm 3 asiste larg triple-double-it. White kishte double-double prej 32 pikëve e 13 kërcimeve, por kishte edhe 7 asiste e 3 topa të vjedhur, shënimet e tij erdhën kryesisht nga tentimet për treshe, apo më mirë thënë kishte 7 shënime nga 10 tentime, nga gjuajtjet e lira ishte efikas 100% me 3 shënime nga po aq tentime dhe për dyshe realizoi 4 herë nga 5 tentime. Për këtë kontribut të madh në debutim, White u notua me indeksin astronomik prej +39, më i larti i xhiros.

5. Dhe në pozitën e qendrës, përsëri në këtë edicion të ArtMotion Superligës në Asist na vjen gjiganti i Prizrenit 16, Urim Zenelaj i cili ishte më efikasi sipas indeksit në fitoren e Prizrenit 16, ku dominoi nën kosha ndaj Dritës me double-double prej 18 pikëve, 16 kërcimeve, por pati edhe 5 asiste e 1 bllokadë. Ai në këtë duel qëlloi 7 nga 11 tentime për dypikësha dhe ishte 100% i saktë në shënime nga gjuajtjet e lira(4/4), për çka mori notën plus 33, më të lartën për një qendër kte javë.

_______________________________________________________________________

MVP I XHIROS 11 TË ARTMOTION SUPERLIGËS
TYRONE WHITE (PEJA)

Krejt në fund, epiteti i MVP-së në xhiron e 11-të në elitën kosovare pa asnjë dilemë të vetme i takon yllit të ri të Pejës, Tyrone White i cili ishte fa-nt-as-tik në debutim me Pejën dhe i cili edhe pse nuk mjaftoi për fitore, tregoi se te Peja ka ardhur për t’ju ndihmuar fuqishëm në garë për trofe.

Me 32 pikë e 13 kërcimeve, por edhe 7 asiste e 3 topa të vjedhur, shënime që erdhën kryesisht nga tentimet për treshe, apo më mirë thënë kishte 7 shënime nga 10 tentime, derisa gjuajtjet e lira ishte efikas 100% me 3 shënime nga po aq tentime dhe për dyshe realizoi 4 herë nga 5 tentime e me indeksin fantastik prej plus 39, aloja fantastike amerikane ishte lojtari më i mirë kte xhiro në ArtMotion Superligën e Kosovës.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.