Basketboll

GJITHÇKA GATI PËR SFIDAT E SUPERKUPËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Edicioni i ri në basketbollin e Kosovës pritet të fillojë me spektakël, pasi më 24 shtator, palestra “Mizahir Isma” do të jetë arena e ndeshjeve të Superkupës.

Në konkurrencën e femrave nga ora 17:30 do të ballafaqohen Prishtina-Bashkimi, derisa nga ora 20:30 do të përballen Rahoveci-Sigal Prishtina te meshkujt. Të dy këto ndeshje do të transmetohen në Platformën më atraktive në vendin tonë “Art Motion”.

Organizatorë të Superkupës janë Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me klubin e Rahovecit.

Përgatitjet deri më tani për këto dy ndeshje po shkojnë sipas planit, dhe pritet që të jetë një spektakël i rrallë i basketbollit, në prag të fillimit të edicionit të ri, që pritet të jetë shumë interesant, sidomos me rikthimin e Pejës në garat e elitës.

Tifozët në Rahovec gjithmonë kanë krijuar atmosferë të jashtëzakonshme dhe kështu pritet edhe më 24 shtator.

Një ngjarje që pritet të jetë madhështore sa i përket organizimit, por edhe tifozëve në tribuna dhe lojtarëve/eve në parket, pasi priten ndeshje mjaft interesante. /FBK

Komentet janë të mbyllura.