Basketboll

FBK PUBLIKON LOGON ZYRTARE TË FIBA U20 KAMPIONATIT EVROPIAN, DIVIZIONI B – FEMRAT

Prishtinë (AsistiOnline) – Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) sot edhe zyrtarisht e ka publikuar logon zyrtare të FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B-Femrat që do të mbahet në Prishtinë prej 3 deri më 11 Gusht 2019.

Ideja e logos së FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B-Femrat është përgatitur nga FBK, ndërsa është dizajnuar nga një kompani italiane, e angazhuar nga FIBA.

“Ideja ka qenë që të theksohet vajza me top të basketbollit, ndërsa duke marr parasysh që jemi shtet i ri, kemi dashur që të promovojmë flamurin e Republikës së Kosovës, ndërsa në logo kemi dashur ta theksojmë edhe emrin e qytetit ku mbahet Evropiani, pra Prishtinën.

Pra të gjitha këto elemente për ne janë shumë të rëndësishme, andaj edhe besoj se në fund kemi arritur të kemi një logo, e cila do të pëlqehet nga opinioni i basketbollit në vendin tonë”, ka deklaruar për faqen zyrtare të FBK-së, Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme.

“Për FBK-në organizimi i një eventi të një niveli të tillë është një sfidë e radhës. Pas përfundimit të dizajnimit të logos dhe përgatitjes së stafit që do të punoj në këtë Kampionat, në vazhdim do të merremi me përgatitje sa më të mirë të palestrave, hoteleve, ku do të qëndrojnë zyrtarët e lartë të FIBA-s, si dhe ekipet pjesëmarrësë. Krahas këtyre punëve, ne kemi edhe shumë punë të tjera, por besojmë se në bashkëpunim me FIBA-n do të arrijmë që në Kosovë organizimi i Kampionatit të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm. E rëndësishme është se FIBA është shumë e kënaqur me FBK-në, me stafin e saj dhe me punën e angazhimin që jemi duke e treguar për organizimin e Kampionatit. Dhe për ne kjo është një motiv shtesë, andaj do të përkushtohemi maksimalisht që deri në ditën e fillimit të garës gjithçka të jetë e gatshme.

Sigurisht se për të arritur këtë na duhet ndihma e institucioneve lokale, dhe atyre qëndrore, si dhe e sponsorëve. Ne besojmë se Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Sportit do të na ndihmojnë me mundësitë e tyre, sepse interesi i të gjithë neve është që ta organizojmë këtë event në mënyrën më të mirë të mundshme ”, ka shtuar Dushku.

Krahas Kosovës në FIBA U20 Kampionatin Evropian, Divizioni B-Femrat do të marrin pjesë edhe 12 shtete të tjera: Izraeli, Danimarka, Finlanda, Britania e Madhe, Kroacia, Turqia, Greqia, Ukraina, Bullgaria, Rumania, Irlanda dhe Islanda.

Komentet janë të mbyllura.