Basketboll

CSKA MOSKA KAMPIONE E RE NË EUROLIGË

Prishtinë (AsistiOnline) – CSKA Moska është kampionja e re e garës më të fortë të Basketbollit në Evropë, Euroleague.

Ekipi rus që drejtohet nga greku Dimitris Itoudis, ka arritur që të mposhtë në finalen e madhe të ”F4” që sivjet u mbajt në Arenën ”Fernando Buesa Arena” (Vitoria-Gasteiz) të Spanjës, ekipin turk Anadolu Efes.

Sa i përket finales së sontme, fjalën kryesore qysh në fillim e tha skuadra ruse e CSKA-së. Duke marrë epërsinë fillestare +9 pas çerekut të parë 20-29. Në periodën e dytë, loja e mirë e Efesit bëri që pjesa e parë të mbyllej me vetëm 2 pikë epërsi për rusët 42-44.

Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat luanin kujdesshëm përderisa rezultati vazhdonte ngushtë duke bërë që çereku i tretë të mbyllet 62-68. Në çerekun e fundit, loja interesante dhe e ashpër solli një diferencë të ngushtë duke e arsyetuar emrin e finales. Por, çfarë vlen të ceket është se CSKA-ja me përvojën e saj arriti ta kontrollojë takimin dhe të arrijë fitore në fund me shifrat 83-91, që i garanton titullin prestigjioz të Euroligës.

Për triumfin e CSKA-së sonte u përkujdesën: Dy amerikanët, Cory Higgins e Will Clyburn me nga 20 pikë, si dhe Nando DeColo me 15 sosh.

Në anën tjetër tek Efesi s’mjaftuan për triumf: Super-fundori amerikan Shane Larkin që realizoi plotë 29 pikë, por as Krunoslav Simon me double, double(15pk, 10krc), si dhe Bryant Dunston poashtu me double, double(13pk, 10krc).

CSKA Moska është kampione e Euroligës për edicionin  2018/19. Përderisa, Anadolu Efes shkruan historinë e klubit duke arritur të jetë nën-kampionë i kësaj gare për herë të parë në histori të klubit.

 

Komentet janë të mbyllura.