ISTOGU FITON NDESHJEN E MBETUR NDAJ FERONIKELIT DHE I AFROHET KREUT
Prishtinë(AsistiOnline) – Ndeshja e mbetur e xhiros së parë në Ligën e parë i ka takuar Istogut, që sot e ka mposhtur Feronikelin.
Feronikeli që sivjet e humbi statusin e anëtarit të Superligës, është mposhtur nga Istogu me rezultat final të ndeshjes, 86-65.
Vendasit nga Istogu, që nga starti e deri në fund e administruan mirë ndeshjen dhe rezultatin ndaj Niklit e fitorja e gjashtë sezonale për ta, ishte e pashmangshme. E në anën tjetër, Feronikeli sot zhvilloi një lojë të dobët, për të pësuar disfatën e gjashtë të stinorit, karshi vetëm dy fitoreve që ka.
Basketbollistët më të dalluar në radhët e Istogut sot ishin: Diamant Shabani me double-double(27pk, 10krc, 3tvj), Mirlind Zekaj luajti me 21 pikë dhe Dardan Maxharraj shtoi 10 sosh.
Tek Feronikeli me lojë të mirë u dalluan, Valdet Shala me double-double(23pk 15krc) dhe Engjull Sollova me 21 pikë, 9 asiste dhe 7 kërcime.
Istogu gjendet në vendin e 3-të në tabelë me 14 pikë, dy më pak se liderja, As Prishtina. Ndërsa, Feronikeli gjendet i 8-ti me 10 pikë të grumbulluara.
Në xhiron e fundit të stinorit vjeshtor që zhvillohet gjatë vikendit, Istogu udhëton për tu ndeshur me Prishtinën e Re, ndërsa Feronikeli poashtu është mysafir i Lipjanit.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.