Basketboll

DON POLLOSHKA, 18 VJEÇARI QË PO SHKËLQEN TEK SKUADRAT PRISHTINASE

Prishtinë(AsistiOnline) – Eshte vetëm 18 vjeçar, por Don Polloshka nuk po e ndjen fare presionin e të qenurit në shumë raste edhe lider i skuadrës më të trofeshme në basketbollin e Kosovës, Sigal Prishtinës.

Basketbollisti i talentuar nga Prishtina në ndeshjen e sontme përballë Vëllaznimit në Superligën e Kosovës, ishte më meritori që në momentet vendimtare, skuadra kryeqytetase e përmbysi rezultatin dhe në fund e fitoi sfidën përballë gjakovarëve.

Në çerekun e tretë të kësaj sfide, Doni arriti që për më pak se 3 minuta, të realizojë 3 treshe me radhë, duke krijuar epërsi prej 10 pikëve ndaj Vëllaznimit dhe në fund, ato pikë dolën të jenë edhe vendimtare, për fitoren me shumë peshë të Sigal Prishtinës sonte.

Në total, Polloshka sot realizoi 13 pikë(prej tyre 4/3 për tre pikë), bëri 5 kërcime, shtoi 4 asiste dhe kishte 1 vjedhje topi. Dhe për sukseset e Donit me Prishtinën i cili në fillim të stinorit e fitoi Superkupën e Kosovës me kryeqytetasit, merita të mëdha ka edhe kryetrajneri i skuadrës, Andin Rashica që po ia beson minutat në ndeshje, ndërsa Doni po e shpërblen besimin e trajnerit me paraqitje fantastike.

Me patjetër duhet cekur, se Polloshka luan me licencë të dyfishtë edhe për skuadrën tjetër nga kryeqyteti, As Prishtinën e cila është kampione vjeshtore e Ligës së parë të Kosovës dhe edhe aty, Doni është ndër basketbollistët kryesorë në sukseset e ekipit të prirë nga Valentin Spaqi.

Shpresojmë dhe besojmë që Doni nuk do të ndalet me performancat e mira individuale dhe ekipore ashtu siç po bën aktualisht, që në të ardhmen e afërt të jetë edhe shtyllë e fortë për Përfaqësuesen e Kosovës.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.