Basketboll

YLLI MPOSHT RAHOVECIN, BARAZON SERINË GJYSMËFINALE

Prishtinë(AsistiOnline) – Golden Eagle Ylli e ka fituar ndeshjen e dytë të serisë gjysmëfinale ndaj Rahovecit në ”Mizahir Isma”.

Therandasit kanë triumfuar ndaj ‘vreshtarëve’ në udhëtim me rezultat tejet të ngushtë 62-70.

Ishte kjo një ndeshje tejet interesante me mysafirët që e nisën dukshëm më mirë dhe fituan çerekun e parë 13-25. Ndërsa në të dytin, Rahoveci paksa u këndell duke e fituar atë 18-12 dhe skuadrat shkuan në pushimin mes pjesëve me epërsinë e Yllit 31-37.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë shumë e fortë me Yllin që fitoi çerekun e tretë ngushtë 16-18. Ndërsa perioda vendimtare u luajt baraz 15-15 dhe në fund fitores iu gëzua ekipit i Yllit, që ruajti avantazhin që nga çereku i parë.

Elyjah Clark me 18 pikë ishte më i disponuari për lojë te Ylli sonte në fitore, por i ndihmuar edhe nga Erjon Kastrati me 13 pikë, si dhe Valon Bunjaku e Demetris Morant me nga 11 sosh.

Te Rahoveci vetëm dy basketbollistë arritën pikë dyshifrore, Ed Daniel me 19 pikë e 14 kërcime, si dhe Darrell Davis me 14 sosh.

Me këtë fitore të Yllit, barazohet në 1-1 seria gjysmëfinale mes këtyre dy skuadrave dhe dy ndeshjet e rradhës tash luhen në Therandë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.