Basketboll

(VIDEO LAJM) ASISTI 520: KATËR MUSKETARËT E BASKETBOLLIT SHQIPTAR NGA SHKUPI NË PRISHTINË

Për herë të parë dhe ekskluzivisht në mediumet shqiptare, vëllezërit Zeqiri, Jetmiri e Lejsoni, Valmir Kakruki dhe Rrezart Memedi, katërshja shkupjane e Sigal Prishtinës

Në ASISTIN 520 mysafirë special, për herë të parë dhe ekskluzivisht në mediumet shqiptare,  vijnë katër musketarët e basketbollit shqiptarë nga Shkupi: vëllezërit Jetmir e Lejson Zeqiri, Valmir Kakruki dhe Rrezart Memedi, talentët e rinj të Sigal Prishtinës.

Deri tash kemi pasur rastin t’i shikojmë në transmetimet e Prince Caffe Superligës por asnjëherë nuk i kemi njoftuar nga afër andaj sonte ASISTI prezanton katërshen e shqiptarëve nga Shkupi e cila u bashkua në Prishtinë.

  • Kur dhe te kush e filluan lojën e basketbollit?
  • Pse erdhën në Kosovë dhe si u ambientuan?
  • Çka i lidh katër shkupjanët me asistuesin tuaj Agon Fehmiun?
  • Kush është daja i tyre që Agoni e ka pasur bashkëlojtar?
  • Rrezarti i cili ka luajtur edhe në Itali, tregon ngjashmërit dhe dallimet e jetës në Shkup, Itali e Prishtinë?

Me mysafirët sonte në ASISTIN 520, analizohet aventura e parë ndërkombëtare e prishtinasve në Ligën e Basketbollit të Evropës së Veriut (ENBL).

  • Arsyet e disfatës nga skuadra e fundit dhe me gjitha humbje , Tal Tech /OPTIBET vetëm 24 orë pas fitores fenomenale ndaj nënkampionëve të ENBL?
  • Cilat janë gjasat për kualifikim në rrethin e dytë?
  • Si i shohin gjasat në rrethin e dytë të ENBL në rast të kualifikimit eventual
  • Nga kush varet kualifikimi i prishtinasve?

Gjithashtu, Jetmiri, Lejsoni, Rrezarti e Valmiri tregojnë pse Sigal Prishtina luajti me dresa të kuq me dizajn special: me shqiponjën dykrenore në gjoks dhe anash shorceve përkrenarja e Skënderbeut ?

Krejt në fund me Jetmirin, lejsonin e Rrezartin analizojmë formën momentale të skuadrave dhe parashikimet për vazhdimin e kampionatit të Prince Caffe Superligës.

  • Cilat prej skuadrave janë më të papërshtatshmet?
  • Çka thotë Lejsoni që u testua në Beshiktash për ribashkimin me Ahmet Kandemirin i cili nga Beshiktashi erdhi në Prishtinë?
  • Çka thonë për tri rivalët kryesor: Golden Eagle Yllin, Pejën dhe Trepçën?
  • Parashikimet për Kupën e Kosovës ?

Gjitha këto sonte në bisedën shumë simpatike , në fund të cilës Agon Fehmiu i bëri të fala publikisht një miku të tij. Se kush është ai, do ta shihni në ASISTIN 520.

 

EUROPE NORTH BASKETBALL LEAGUE (ENBL)

Mesjavën e kaluar Prishtina udhëtoi në kryeqytetin e Estonisë, në Tallin, ku zhvilloi dy ndeshjet e fundit të Grupit A të Ligës së Basketbollit të Evropës së Veriut apo ENBL.

Në ndeshjen e parë Prishtina i befasoi dhe i gëzoi të gjithë adhuruesit e basketbollit kosovar pasi deklasoi nënkampionin aktual të ENBL-së, skuadrën lituane Shiauliai mirëpo vetëm 24 orë më vonë Prishtina pësoi nga skuadra e fundit në tabelë që deri atëherë nuk kishte asnjë fitore: Tall Tech/OPTIBETI. Duke pësuar nga vendasit e Tallinit, prishtinasit humbën rastin që automatikisht të kualifikohen tutje por jo gjithçka ka përfunduar pasi tash fati i bardh e kaltërve varet nga ndeshja e fundit e grupit A: Shiauilia – Budivelnyk

 

ANALIZA E XHIROS 20 E PRINCE CAFFE SUPERLIGËS

Kampionët aktual Golden Eagle Ylli pas 4 humbjeve në start dhe serisë fenomenale prej 15 fitoreve rresht, duke dominuar në Prince Caffe Superligë nga 2 Tetori kur pësuan disfatën e fundit nga Ponte Prizreni, pas 17 javësh apo saktësisht 119 ditëve pësuan disfatën e parë pasi u mposhtën nga Trepça në Minatori, në kryendeshjen e xhiros 20, në një ambient fantastik.

Trajneri i porsa ardhur te Trepça, Engin Gençoglu startoi në mënyrë perfekte me dy fitore në dy derbi. Pasi e mposhti Pejën javën e kaluar në Karagaq, të shtunën në Minatori mposhti edhe kampionët dhe liderin  aktual Yllin duke ia mundësuar Prishtinës rikthimin në krye të tabelës pasi prishtinasit mposhtën Rahovecin në Mizahir Isma ndërsa ndeshja e cila nisi xhiron 20 u zhvillua në Suharekë në mes të Ponte Prizrenit dhe Vëllaznimit dhe ishte duel direkt në mes dy skuadrave që po luftojnë për t’iu shmangur Play Outit dhe për ta siguruar Play Offin, ishte një shfaqje fantastike që shkoi në vazhdime.

24 orë më vonë, gjithashtu në 13 Qershori të Suharekës është dashur të zhvillohet derbi i Dukagjinit në mes të Bashkimit dhe Pejës por për shkak të ftohtit u shty për 24 orë dhe u zhvillua të hënën mbrëma në Mizahir Isma. Në Rahovec Bashkimi vazhdoi formën e shkëlqyeshme kurse Peja pësoi dusfatën e dytë rresht dhe të katërtën në 5 ndeshjet e fundit.

Në vazhdim analiza e detajuar e xhiros 20 të Prince Caffe Superligës dhe natyrisht blloku special : Pesëshja dhe MVP i javës në ASIST

 

BASKETBOLLI I FEMRAVE – LIGA UNIKE

Bllokun e basketbollit femëror e fillojmë me Ligën Unike e cila javën e kaluar zhvilloj xhiron 7 e cila solli shumë ndryshime tabelore. Në Kosovë u zhvilluan përsëri dy ndeshje dhe derisa  në Karagaq, Penza e priti liderin Flamurtarin në Prishtinë mysafire ishin vashat e Bashkimit. Ndeshje e tretë ishte derbi i kryeqytetit të Shqipërisë dhe në Asllan Rusi u takuan Tirana dhe Partizani.

Ndaj Tiranës që ishte e fundit pas 6 xhirove, Partizani i dytë pati 8 pikë epërsi (59:67) kur kishin mbetur edhe 2 minuta e 21 sekonda lojë por deri në fund nuk realizuan asnjë pikë kurse Tirana bëri seri prej 8:0 për të shënuar fitore të ngushtë me rezultat 69:67 dhe kështu me triumfin e dytë kte edicion u largua nga pozita e fundit. Në vazhdim mund t’i shikoni dy raportet nga ndeshjet e zhvilluara në Karagaq dhe Palestrën e Sporteve në Prishtinë e më pas rezultatet dhe tabelën komplete

 

SUPERLIGA E FEMRAVE TË KOSOVËS NË BASKETBOLL

Po mbetemi edhe më tej me basketbollin e femrave duke vazhduar me Superligën e Kosovës e cila zhvilloi xhiron 14 e cila kte javë solli edhe një derbi në kryeqytet. Kësaj radhe mysafire në Prishtinë ishin vashat e Penzës kurse lideret e Bashkimit ishin mysafire në Minatori ku mposhten Trepçën dhe vazhduan serinë perfekte prej 14 fitore pa humbje sivjet. Ndeshja e tretë u zhvillua në Shani Nushi ku kuqezezat e Vëllaznimit mposhtën gjilanaset e United Basketbollit dhe kështu shënuan fitoren e parë sivjet pas 13 humbjeve rresht në një duel me finish dramatik ku vashat e Vëllaznimit 3 minuta e 27 sekonda pa u mbyll takimi kishin 4 pikë epërsi, 52:48 dhe deri në fund nuk shënuan asnjë pikë kurse gjilanaset deri në fund arritën të realizojnë vetëm 3 pikë dhe në këtë mënyrë gjakovaret triumfuan me rezultat minimal prej 52:51. Në vazhdim ta shohim raportin nga derbi Prishtina – Penza e më pas rezultatet dhe tabelën pas 14 xhirove të Superligës së Femrave.

 

SHQIPTARËT NË BOTË: EDONI DHE ERGJANI SHKËLQYEN SËRISH

Koha është për bllokun special dhe shumë të dashur për gjithë ne: Shqiptarët në Botë në ASIST ku Edon Maxhuni për mashallah shkëlqeu edhe një herë me edhe një shfaqje brilante në FIBA Europe Cup gjatë mesjavës së kaluar duke e mposhtur edhe një herë ish skuadrën e e tij Den Bosch Heroes ndërsa të shtunën u ndesh me liderin e Bundesligës gjermane, gjigantin ALBA nga Berlini.

Për dallim nga java e kaluar kur shqiptarët tanë në Turqi nuk lanë gjurmë, kësaj here Ergjan Osmani iu kthye formës fenomenale dhe shkëlqeu për Darushafakën përkundër disfatës nga Bilbao në kuadër të FIBA Champions League. Sa i përket Kenan Spahiut te Pinar Karshijaka, ai për herë të dytë rresht nuk u paraqit për ekipin nga Izmiri pasi po përflitet për një rikthim të mundshëm të Kenanit te Beshiktashi ku trajner aktual është ish plejmejkeri i Trepçës, Igor Milliqiqi.

Gjithsesi se edhe këto lajme do të konfirmohen së shpejti në portalin numër 1 të basketbollit në shqiptari, AsistiOnline.com kurse tash është koha për bllokun shumë unik dhe të dashur për gjithë ne:  Shqiptarët në Botë në ASIST

 

NBA NË ASIST

ASISTIN e po e vazhdojmë duke kaluar përtej Oqeanit Atlantik në NBA ku përveç përcjelljes së votimeve për NBA All Star 2023 lajm kryesor është përcjellja e shifrave të cilat po i shënon LeBron james i cili është në prag të thyej rekordin e gjitha kohëve sa i përket pikëve të shënuara, rekord ky të cilin e mban një tjetër legjend e NBA, qendra Kareem Abdul Jabbar me 38.387 pikë.

  • Edhe sa pikë i kanë mbetur LeBronit dhe kur parashihet ta thyej këtë rekord historik?
  • Si po shkojnë votimet për NBA All Star 2023 dhe çka e karakterizoj javën që shkoj e cila ishte plot me ndeshje të bukura që i shikuam së bashku Artmotion?

Këtë do ta shohim në vazhdim në kuadër të bllokut të cilën për juve e ka përgatitur specialisti i NBA në ASIST: Arbon Flugaj

 

TOP 10 AKSIONET NË ASIST

Krejt në fund ASISTI ju sjell pasqyrën e transmetimeve të javës në Artmotion dhe Klan Kosova dhe natyrisht TOP 10 aksionet e Javës në ASIST.

Adhurues të basketbollit, kënaquni me bukurit fantastike basketbollistike në ASIST dhe mos harroni për më shumë lajme ekskluzive gjatë javës vizitoni portalin numër 1 në shqiptari për basketboll: AsistiOnline .

Deri të hënën e ardhshme, zemrat tuaja le t’i ngroh dashuria për basketboll

Komentet janë të mbyllura.