Basketboll

SPECIALE SONTE: ASISTI 523 DHE KUPAT TE VENDI I KUPAVE

Mysafirët special fituesit e Kupës së Kosovës 2023 : Aulona Muhadri kapitene e Bashkimit, Elvedin Plaiqi kryetar i KB Bora (Liga e Parë) dhe Valdrin Haxhiu kapiteni i  Trepçës i cili kësaj here ktheht si triumfues

ASISTI 523 sjell përmbledhjen e gjithë asaj që ndodhi në spektaklin e Final 8 të Kupës së Kosovës në Basketboll i cili sivjet u kthye “n’ konakun e vet” në Mizahir Isma të Rahovecit. Palestra më e bukur në vendin tonë , për herë të tretë në këto pesë edicionet e fundit ishte nikoqire turneut final të Kupës së Kosovës

Qyteti i cili në vitin 2019 dhe 2020 organizoi dy spektakle të Kupës së Kosovës, sivjet përsëri ishte vendtakim i elitës së basketbollit kosovar dhe për herë të tretë rresht dëshmoi traditën e mikpritjes së jashtëzakonshme ku u zhvilluan garat për tri Kupat e sivjetme: Kupën e Ligës së Parë, të Femrave dhe atë të Meshkujve.

Nga e mërkura deri të dielën,  të gjitha rrugët e basketbollit kosovar quan drejt Rahovecit në konakun e festës dhe spektaklit të basketbollit kosovar dhe ASISTI 523 sonte sjell përmbledhjen komplete të festës që e përjetuam në Rahovec gjatë Final 8 të Kupës së Kosovës 2023

Të premtën në kremtën e 15 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, KB Bora e themeluar në gusht të vitit të kaluar që me ftesë speciale filloi garat në Ligën e Parë, u shpall fituese e Kupës së Ligës së Parë në debutimin e saj. Kështu, Bora bëri atë që në edicionin 2019 të Kupës së Kosovës e kishte bërë Feronikeli i cili vetëm 6 muaj pas themelimit fitoi Kupën e Ligës së Parë dhe atë e bëri pikërisht në Mizahir Isma .

Ndërkohë, të dielën në program i përcollëm dy finalet, në konkurrencën e femrave dhe të meshkujve ku triumfuan fituesit nga edicioni i kaluar në Pejë, Bashkimi te femrat dhe Trepça te meshkujt duke mposhtur rivalët nga Prishtina.

Vashat e Bashkimit këtë e bënë për herë të dytë rresht pasi edhe vjet kishin triumfuar ndaj prishtinaseve kurse për Trepçën ishte kjo e treta e vërteta dhe fitorja e parë ndaj Prishtinës në finalet e Kupës së Kosovës që nga pavarësimi i basketbollit tonë në vitin 1991/92.

Në dy finalet paraprake 2005 dhe 2010 ishte Prishtina ajo e cila kishte triumfuar mirëpo kësaj here ishte e treta e vërteta, nën udhëheqjen e trajnerit Engin Gençoglu i cili bëri revolucion dhe në Minatori solli Kupën e dytë rresht dhe të gjashtën në histori

Veç përmbledhjes dhe analizave komplete të gjitha ndeshjeve të zhvilluara në Final 8 të Kupës së Kosovës 2023 në Rahovec, sonte mysafirë special në ASIST janë përfaqësuesit e klubeve fituese:  Aulona Muhadri, kapitene e Bashkimit, Elvedin Plaiqi kryetar i KB Bora (Liga e Parë) dhe Valdrin Haxhiu kapiteni i  Trepçës i cili kësaj here kthehet si triumfues.

Çka thanë gjatë bisedës simpatike mysafirët :

  • Kush është KB Bora; si u themelua dhe cila janë planet për të ardhmen?
  • Si e përjetoi Aulona Muhadri triumfin duke e ngritur Kupën për herë të parë si kapitene?
  • Çka tha për trajnerin Viktor Kovaç dhe çfarë risie solli ai?
  • Si ndikuan amerikanet e Bashkimit në ndërtimin e skuadrës sivjet ?

Finalja e Trepçës ndaj Prishtinës në garat e Kupës pati shumë simbolika, ishte finalja e dhjetë jubilare nga pavarësimi në vitin 1991/92 dhe përkundër historisë së gjatë të përballjeve mes rivalëve të përhershëm, vetëm finalja e tretë El Clasico ku në dy finalet paraprake 2005 dhe 2010 fituese ishte Prishtina kurse Trepça e fitoi të tretën të vërtetën. Gjithashtu, interesante ishte përballja në mes të trajnerëve Ahmet Kandemirit si mësues dhe Engin Gençoglut si nxënës ku në fund nxënësi ishte më i mirë se mësuesi.

  • Si e përgatiti Gençoglu ekipin dhe çka ju tha para duelit?
  • Si e ndryshoi atmosferën në ekip dhe krijoj unitet që nuk kishin në vjeshtë?
  • Çka ishte vendimtare në këtë finale dramatike që ishte e barabartë për 38 minuta?
  • Çka thotë për Drilon Hajrizin i cili tash me Trepçën ka tri Kupa dhe në të tri triumfet e ka nënshkrimin e tij si MVP?

Gjitha këto sonte në bisedën simpatike me Aulonën, Elvedinin dhe Valdrinin në ASISTIN 523.

Edhe sonte ASISTI sjell bllokun shumë të dashur : Shqiptarët në Botë kurse NBA në ASIST sjell përmbledhjen e spektaklit NBA All Star Ëeekend që u mbajtë në Salt Lake City të Utah, transmetimin ekskluziv të tubimit të gjitha yjeve të kësaj gjithësie basketbollistike patët rast ta shikoni në Artmotion dhe Klan Kosova

Krejt në fund, ASISTI sjell aksionet më të bukura të Kupës së Kosovës

Sonte nga ora 21:00 në Sport 1 në Artmotion dhe pas mesnate, pas përfundimit të Prime Big Brother VIP Kosova në Klan Kosova, ASISTI 523 me Agon Fehmiun dhe Ulpiana Emrën  

 

Komentet janë të mbyllura.