Basketboll

Ekskluzive: Trepça edhe këtë edicion në FIBA Europe Cup

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Trepçës pritet që edhe këtë edicion të jetë pjesë e garave ndërkombëtare të basketbollit.

Siç ka mësuar AsistiOnline.com ‘xehtarët’ kanë vendosur që edhe në këtë edicion të marrin pjesë në kompeticionin prestigjioz evropian, FIBA Europe Cup dhe gjatë ditëve në vijim pritet ta konfirmojnë një gjë të tillë.

Trepça në edicionin e kaluar luajti në kualifikimet e FIBA Europe Cup, madje ishte klubi që organizoi edhe njëri nga turnetë kualifikues të garës në palestrën ”Minatori” në Mitrovicë, duke dhënë shembull tejet të mirë të një organizimi për duartrokitje.

Në edicionin e kaluar, Trepça ishte eliminuar në fazën e parë kualifikuese të garës, duke u mposhtur nga ekipi i fuqishëm gjerman Gottingen, që sivjet pati edicion fenomenal sidomos në Bundesligën gjermane, duke arritur deri në çerekfinale, ku u eliminua nga gjiganti bavarez, Bayerni i Mynihut.

Të kujtojmë se te mitrovicasit ditë më parë e zyrtarizuan për trajner, boshnjakun Adis Beqiragiq dhe kanë vazhduar kontratat me lojtarët vendorë: Drilon Hajrizi, Erjon Kastrati, Valdrin Haxhiu, Amin Hot e Mikaile Tmusiq.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.