Basketboll

Detaje për karrierën e Dominic Artis, natyralizimi i fundit te Kosova

Prishtinë(AsistiOnline) – Përfaqësuesja e Kosovës A në konkurencën e meshkujve do të grumbullohet për pak ditë në përgatitje për parakualifikimet e Eurobasket 2025.

Selektori, Rami Hadar e ka publikuar sot listën e gjerë të lojtarëve me 17 emra.

Në këtë listë bie në sy natyralizimi i amerikanit, Dominic Artis i cili pritet të jetë ndihmesë për ‘Dardanët’ në tentimet e tyre për sukses, që Kosova e kërkon prej vitesh në nivele të larta ndërkombëtare.

Por, kush është Dominic Artis?

AsistiOnline.com sjell një kronologji të karrierës së këtij lojtari, e cila është tejet e pasur.

29 vjeçari i lindur në Oakland të Californias, karrierën si lojtar e ka nisur në kolegjin amerikan nga NCAA1 ”Oregon Ducks” me të cilët u paraqit për dy sezone (2012/14), 7.3 pikë në edicionin e parë e në të dytin 4.3 pikë, për të kaluar më pas në kolegjin tjetër amerikan ”The University of Texasatel Paso Miners” për dy sezone tjera (2015/17) me mesatare 11.9 pikë në stinorin e parë, e në të dytin 15 pikë.

Në sezonin e parë profesional (2017/18), Artis kaloi në elitën polake me Czarni Slupsk ku luajti me mesatare prej 15.3 pikë, 5.1 kërcime e 6.1 asiste, derisa në po të njejtin sezon, Artis kaloi në radhët e ekipit nga Republika Serbe në Bosnje, Igokea me të cilët u paraqit edhe në ABA Ligë në 7 ndeshje me 13.3 pikë, 4.3 asiste e 2.9 kërcime.

Pas Czarnit dhe Igokeas, në sezonin 2018/19, Artis u transferua te skuadra elitare italiane, Pesaro tek të cilët në 30 ndeshje kishte mesatare prej 9.9 pikëve, 3.5 kërcime e 3.2 asiste.

Në sezonin 2019/20, Artis e nisi në elitën polake me Dąbrowa Górnicza ku në 14 ndeshje luajti me 21.6 pikë, 5.8 asiste e 3.8 kërcime. Gjersa në po të njejtin edicion u paraqit edhe me Cedevita Olimpijën në ABA Ligë (6.8 pikë për ndeshje) dhe Slloveni.

Sezoni 2020/21 e gjeti në elitën greke me ekipin e Kolossos Rodou tek të cilët në 22 ndeshje luajti me mesatare prej 14.2 pikëve, 5.4 asiste e 5 kërcime për ndeshje.

Në dy edicionet e fundit (2021/23), Artis është paraqitur me Cholet Basket në elitën franceze. Në sezonin e parë 2021/22 kishte luajtur në 33 ndeshje me mesatare prej 14.2 pikë, 4.3 asiste e 3.1 kërcime. Ndërsa në edicionin që sapo lamë pas, Artis ka luajtur me 16.3 pikë, 3.6 asiste e 3 kërcime për ndeshje.

Vlen të ceket se edicioni që sapo lamë pas, ka qenë prej më të mirëve në karrierën e Artis, pasi me Choletin arritën deri në finale të kompeticionit të katërt/pestë për nga rëndësia në Evropë, FIBA Europe Cup.

Choleti në finale të FIBA Europe Cup u mposht nga skuadra polake e Anwil Wloclawek.

Në 20 ndeshje me Choletin në FIBA Europe Cup, Artis luajti me 15.7 pikë, 3.1 asiste e 2.7 kërcime dhe gjatë tërë edicionit ishte lojtari kryesor i ekipit.

Padyshim që me afrimin e tij, Përfaqësuesja e Kosovës pritet të përfitojë në cilësi dhe pas shumë vitesh në ekip vije një lojtar shumë cilësor dhe urojmë të tregojë cilësitë e tij.

/AsistiOnline.com/

 

 

 

Komentet janë të mbyllura.