TEK BASHKIMI TË KËNAQUR ME GJYSMËSTINORIN E PARË, BESOJNË NË RIKTHIMIN E TITULLIT
Bashkimi e përfundoi një edicion të suksesshëm në basketbollin e femrave. Skuadra prizrenase fitoi Superkupën e Kosovës, derisa përfundoi stinorin vjeshtor me dhjetë fitore në dhjetë ndeshje të zhvilluara, duke qenë skuadra e vetme pa humbje.
Lojtarët, stafi teknik dhe kryesia kanë punuar shumë për këtë sukses.
Trajneri i Bashkimit, Furkan Saglik, ka folur për suksesin në stinorin vjeshtor. “Jam shumë i lumtur me lojtaret dhe stafin tim, ata kanë dhënë gjithçka dhe e kemi merituar këtë sukses. Falënderoj kryetarin RrahmanPërteshi për kontributin e dhënë dhe kushtet e ofruara. Ai na ka mbështetur që nga dita e parë”, është shprehur në fillim trajneri i skuadrës prizrenase për faqen zyrtare të FBK-së.
“Kemi bërë një ekip mjaft cilësor, duke u përforcuar me Khadija-n (Haywood), Aisha-n (Balarabe), Saranda Dacin dhe ArbnorePërqukun, derisa kemi mbajtur edhe lojtaret kryesore të edicionit të kaluar. Kur kemi filluar stërvitjet në verë, kam parë një angazhim të madh të vashave dhe e kam kuptuar se mund të arrijmë diçka”, shtoi tutje Furkan Saglik.
Ai foli edhe për synimet në stinorin pranveror. “Sigurisht do të dëshiroja të vazhdoja pa humbje dhe të fitojmë çdo trofe, por ne duhet të punojmë për të arritur suksese. Ne gjithsesi jemi duke u munduar që të përmirësohemi edhe më shumë dhe jam i kënaqur me angazhimin e lojtareve në fushë dhe në stërvitje. Bashkimi dhe Mabetex Prishtina janë skuadrat më të mira në Superligë, derisa Penza dhe Kastrioti po punojnë për të pasur të ardhme, kurse Trepça dhe Vëllaznimi po u japin hapësirë vashave të reja. Shpresoj se Superliga e Femrave do të jetë më e mirë se edicionin e kaluar, derisa ka shumë talente në basketbollin e Kosovës”, përfundoi Furkan Saglik.
Një nga lojtaret më të dalluara të Bashkimit në stinorin vjeshtor ishte AishaBalarabe. Ajo u shpreh se e ka pritur këtë sukses, sepse kanë punuar shumë. “Ishte shumë kënaqësi të luash me këto vasha në Superligë. Sigurisht se e kam pritur që do të kemi këtë sukses. Këtë e kam kuptuar që nga dita e parë kur kemi filluar stërvitjet me lojtaret tjera dhe stafin. Kam besuar se mund të arrijmë vetëm fitore. Kemi luajtur me angazhim maksimal dhe kemi luftuar në çdo ndeshje”, theksoi Balarabe për faqen zyrtare të FBK-së.
Ajo foli edhe për synimet në stinorin pranveror. “Nëse vazhdojmë të luajmë në këtë mënyrë sigurisht se besoj se mund të vazhdojmë vetëm me fitore dhe nuk shoh ndonjë problem që edhe në stinorin pranveror do të vazhdojmë në këtë mënyrë. Ne luftojmë në çdo ndeshje deri në minutën e fundit dhe kjo më shtyn të besoj se do të kemi suksese edhe vitin e ardhshëm. Në Superligën e Femrave ka shumë konkurrencë dhe për këtë më pëlqen të luaj, është shumë agresive”, përfundoi AishaBalarabe.
Bashkimi përfundoi stinorin vjeshtor pa asnjë humbje, duke fituar Superkupën dhe dhjetë ndeshjet në Superligën e Femrave.
Komentet janë të mbyllura.