Basketboll

FIKRET HANXHIQ – QENDRA BOSHNJAKE QË PËRMBI NJË DEKADË ‘MBAJTI GJALLË’ TREPÇËN

Prishtinë(AsistiOnline) – Erdhi për pak, por mbeti për shumë dhe shkoi aq larg saqë u bo ikonë e klubit të Trepçës.
 
Bëhet fjalë për gjigantin 2.10cm, boshnjakun Fikret Hanxhiq që dikur e mori edhe nënshtetësinë e Kosovës dhe AsistiOnline.com ju sjellë një profil të ish-basketbollistit tejet cilësor i cili është lindur në vitin 1981 në Bosnje.
 
Fikret Hanxhiq erdhi tek Trepça në vitin 2002 dhe në fillim nuk dukej që ky njeri do të qëndronte te Trepça e lëre më të bëhej ikonë e klubit mitrovicas, por koha e dëshmoi të kundërtën.
 
Ndonëse përjetoi një debutim të zbehtë, Hanxhiq për kohë të gjatë ishte një prej qendrave dominonte në basketbollin kosovar. Hanxhiq mbahet në mend për bllokadat e tij dhe poashtu ngulitjet e bukura që e elektrizonin publikun e shumtë në ”Minatorin” e zjarrtë.
 
Në një intervistë për Koha.net muaj më parë, Hanxhiq ka folur për shumë gjëra që lidhen me periudhën e tij te Trepça. Ai për kohë të gjatë është llogaritur lojtar vendorë, ndërsa nga Mitrovica është larguar si njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe. Ndër të tjera ka luajtur edhe për Kosovën.
 

 

Ndeshja e parë me Trepçën natyrisht ka mbetur në kujtesë të Hanxhiqit.
 
Ishte janari i vitit 2002. Në Trepçë dhe Mitrovicë kam arritur relativisht i ri, si 21-vjeçar. Ndeshja ime e parë ishte njëkohësisht edhe derbi më i madh në Kosovë atëherë. Pra ndeshja me Prishtinën. ‘Minatori’ ishte mbushur tri orë më herët. Nervozizmi ishte prezent te unë më shumë se te të tjerët. Atë ndeshje nuk e kam luajtur sa duhet mirë dhe për fat të keq kemi humbur. Por ajo ndeshje e parë gjithnjë do të më mbetet në kujtesë. Më së shumti për shkak të tifozëve dhe Torcidës sonë që gjithnjë ishte me ne”, thotë Hanxhiq.

 

Askush nuk ka pritur, as Hanxhiqi vet, që ai do të mbetej te Trepça plot 13 vjet. Për këtë periudhë nuk ka luajtur për asnjë skuadër tjetër. Pra Trepça mbetet ekipi i vetëm i Hanxhiqit si senior, pas pak viteve të kaluar në Bosnjë në moshë të re. Për 13 vjet natyrisht që ka pasur shumë momente të mira për Hanxhiqin në Mitrovicë dhe te Trepça. Por ai është përballur edhe me vështirësi, sidomos kur klubi nuk ishte i organizuar si duhet. Por nuk është larguar asnjëherë.
 
Unë jam person pozitiv dhe në jetë gjithnjë mundohem të shikojë nga ana e mirë dhe pozitive. Ka pasur disa anë të këqija dhe periudha të vështira gjatë qëndrimit në Mitrovicë. Por nuk merrem shumë me ato. Momente të mira ka pasur shumë më tepër. Momentet më të mira lidhen me vitin 2012 kur me ekip shumë të ri dhe vetëm me dy të huaj ia dolëm të bëjmë befasi dhe të fitojmë titullin dhe kupën e Kosovës”, ka treguar Hanxhiq.
 
Ai ka luajtur deri në vitin 2015 për Trepçën, kur edhe përfundoi karrierën. Ka treguar se kishte oferta në Kosovë dhe në Bosnjë por se për shkak të lëndimeve vendosi të përfundoj karrierën. Lëndimi i gjurit e ka penguar shumë në karrierë gjigantin.
 
Gjithë karrierën e kam kaluar te Trepça. Kam pasur oferta të shumta si nga Kosova ashtu edhe nga vendet tjera. Në mes të edicionit 2004\05 kam pasur lëndim të rëndë të gjurit. Pas lëndimit më nuk kam menduar fare të ndryshoj mjedis. Mitrovica disa më bëri për vete. Dhe lirisht mund të them se është shtëpia ime e dytë. Dhe nuk jam pishman për këtë vendim”.
 
Hanxhiq vazhdon të jetë shumë i njohur në Mitrovicë. Kontributi i tij për klubin e qytetin nuk harrohet lehtë.
 
Sinqerisht edhe vet ndonjëherë befasohem që edhe sot, pas kaq shumë vjetësh, njerëzit më përmendin dhe më kujtojnë për kohën e kaluar te Trepça. Do të gënjeja nëse do të theksoja se nuk më vjen mirë për këtë. Është mirë të shohësh kur dikush e vlerëson atë që kam kaluar aq shumë vjet në Trepçë dhe që i kam bërë të gjitha duke luajtur për këtë skuadër”.
 
Hanxhiq vazhdon të mbajë kontakt me shumë njerëz në Kosovë. Thotë se ka krijuar shumë miq, jo vetëm të basketbollit, gjatë 13 vjetëve në Mitrovicë.
 
Ato miqësi do të zgjasin gjithë jetën”, thotë ai.
 
Pas disa vjetësh te Trepça, Hanxhiq u pajis me pasaportë të Kosovës. Ka luajtur edhe në disa ndeshje të përfaqësueses së Kosovës. Atij i vjen keq që nuk ka luajtur më shumë, pasi “Mitrovicën dhe Kosovën i vlerëson si shtëpi të tij”. Hanxhiqi e përcjell ende ligën e Kosovës dhe “Trepçën e tij”. Është i vetëdijshëm se në të kaluarën në Kosovë është luajtur basketboll shumë më cilësor, sidomos prej vitit 2002 deri në vitin 2006.
 
Liga ishte jashtëzakonisht e fortë. Ekipet kanë pasur shumë të huaj por edhe vendorët ishin shumë cilësorë. Vetëm kujtoni bashkëlojtarët e mi, Besim Braha, Artan Mehmeti, Edmond Raqa, Esat Ibrahimi dhe të tjerët. Edhe ekipet tjera kanë pasur shumë vendorë të mirë. Secila ndeshje ishte derbi. Por do të veçoja edicionin 2003\04 kur liga ishte tepër e fortë, njëjtë si në edicionin 2004\05, kur unë isha i lënduar. Atë edicion në pjesën e parë të edicionit, deri në vit të ri, nuk kishim asnjë humbje”, ka kujtuar Hanxhiq.
 
Pasi përfundoi karrierën, Hanxhiq u kthye në Bosnjë. Jetoi disa vite në qytetin e tij të lindjes. Një vit e gjysmë më parë vendosi të largohet nga Bosnja dhe tani po jeton së bashku me familjen në Slloveni. Djalin e madh e ka në klasë të shtatë, ndërsa i vogli, që është i lindur në Mitrovicë, në shtator fillon klasën e parë. Hanxhiq 38-vjeçar, nuk është larguar plotësisht nga sporti.
 
Po punoj në ‘ELAN’, kompaninë e njohur që prodhon pajisje sportive. Punoj në pjesën ku prodhohen skitë. Planifikoj të qëndroj këtu. Vendimin për të jetuar në Slloveni e morëm për shkaqe financiare. Në Bosnjë, njëjtë si në Kosovë, situata ekonomike nuk është më e mira. Për fëmijët është shumë më mirë këtu. Jetoj jetë të qetë dhe të tërhequr. Në fundjavë vizitoj vende të ndryshme në Slloveni, që është vend shumë i bukur. Dhe nuk jam për asnjë moment pishman që kam vendosur të jetoj këtu”, ka treguar Hanxhiq.
 
Ai nuk ka harruar të përshëndetë tifozët që shumë shpesh e kanë thirrur emrin e tij.
 
Dua t’i përshëndes miqtë në Mitrovicë dhe Kosovë, ndërsa një përshëndetje të veçantë e kam për tifo-grupin më të mirë në Ballkan, TORCIDËN”, tha në fund, Hanxhiq.

Komentet janë të mbyllura.