KOSOVA PËSON DISFATËN E PARË, NË PARA-KUALIFIKIMET PËR KUPËN E BOTËS
Prishtinë(AsistiOnline) – Përfaqësuesja e Kosovës e ka pësuar humbjen e parë në kuadër të para-kualifikimeve për Kupën e Botës, 2023.
Është Kombëtarja e Sllovakisë, ajo që e ka mposhtur Kosovën në Bratisllavë me rezultat të përgjithshëm, 91-67.
Skuadra vendase sllovake, ishte ajo që e diktoi krejtësisht tempon e lojës sonte, duke mos e lejuar ekipin e Kosovës që të aplikojë lojën e vetë. Sllovakët i fituan të katër periodat e ndeshjes(21-9, 21-20, 20-13, 29-25), duke arritur fitore me lehtësi në fund.
Katër lojtarë shkëlqyen tek sllovakët sonte në fitore, ylli i skuadrës, Vladimir Brodziansky ishte më i miri me double-double, 26 pikë e 12 kërcime, Mario Ihring e Simon Krajcovic me nga 14 pikë, si dhe Tomas Pavelka me 13 pikë.
Tek Kosova me lojë të mirë u dalluan, Drilon Hajjrizi me 17 pikë, Erjon Kastrati me 14 pikë e Fisnik Rugova me 11 pikë.
Kosova sonte pësoi humbjen e parë, karshi dy fitoreve që ka në grup, ndërsa Sllovakia arriti në kuotën e dy fitoreve dhe ka një disfatë.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.