AIR FORCE ONE – FITUES TË ”POLI STREETBALL KOSOVA 2021”
POLI Streetball Kosova 2021 që u mbajt në Sheshin ”Skëndërbeu” apo para Teatrit Kombëtar në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, tuboi rreth vetes si zakonisht një numër të madh të shikuesve, fillimisht me diell, pastaj me fllad e muzikën dhe kënaqësitë që ishin të pranishme gjatë tërë kohës.
Nga ky turne spektakolar në zemër të Prishtinës, vlejnë të ceken edhe ndeshjet revyale të Meraklive t’basketit, ndeshja revyale e femrave, si dhe ndeshja e veteranëve të basketbollit të Kosovës për nder të pensionimit të legjendës së basketbollit të Kosovës, Edmond Azemi.
Sa ju përket ekipeve dhe ndeshjeve në kategorinë profesioniste, ato ishin tejet interesante me lojëra të forta dhe përplotë rivalitet. Të ndara në katër grupe, nga një skuadër prej secilit grup do të arrinte gjysmëfinalen e ashtu edhe ndodhi.
Në grupin A ekipi numër një në vend në kategorinë 3×3, AIR FORCE ONE kishte 2 fitore nga po aq ndeshje dhe kaloi pa telashe në gjysmëfinale. Boom Shaka-llaka ekipi i dytë i grupit e pati një fitore e një humbje, derisa Cash Money i humbi dy ndeshjet e fazës grupore dhe nga grupi vetëm AIR FORCE ONE, kaluan tutje.
Në grupin B, Suhareka ishte skuadra që triumfoi në të gjitha duelet, duke mposhtur fillimisht GRAPELANDIN ngushtë e më pas edhe ADS-në dhe kaloi tutje. Derisa djemtë e Rahovecit e mbyllën si të dytit me një fitore e një humbje dhe nuk shkuan më larg. Dhe ishte ekipi i ADS që mbylli grupin pa fitore e me dy humbje.
Tek grupi C, ishte një situatë më e komplikuar, 3shja shqiptare nga Maqedonia, Meti Thaçi, Lejson Zeqiri e Malik Thaçi arritën dy fitore në grupe dhe realisht kaluan tutje, por për shkak të stërvitjeve me ekipin e tyre u desht që të tërhiqen nga garat dhe liruan vendin për dy ekipet e tjera në grup, TURISTAT nga Peja dhe 3×3 OBELISKU nga Prishtina që zhvilluan ndeshjen përcaktuese se kush do të kalojë tutje dhe në fund, TURISTAT arritën triumf të merituar dhe kaluan tutje pas duelit direkt me 3×3 OBELISKUN.
Në grupin e fundit D, 06 RC COLA e Gjilanit kaloi tutje bindshëm me 2 fitore nga po aq ndeshje në grupe. PRIZRENI 16 mbylli grupet me 1 fitore e 1 humbje, derisa 07 GJAKOVA pësoi nga dy ndeshjet e luajtura dhe nga ky grup, RC COLA iku tutje.
Pas fazës grupore u përcaktuan edhe çiftet gjysmëfinaliste, ku fituesi i grupit A, AIR FORCE ONE u ndeshën me 06 RC COLA. Derisa në duelin tjetër, fituesi i grupit B, SUHAREKA u ndesh me TURISTAT e grupit C.
Në duelin e parë gjysmëfinal mes AIR FORCE ONE dhe 06 RC COLAS, kishte një konkurencë të madhe në 5 minutat e parë, por më pas skuadra me përvojë të madhe e AIR FORCE ONE të udhëhequr nga kapiteni Albatrit Berisha në mungesë të kapitenit tjetër, Altin Sahiti i cili gjendet në SHBA, arriti të thellojë rezultatin dhe mposhti gjilanasit me në krye Qëndrim Demin me rezultat 21-13 dhe u bë finalisti i parë i POLI Streetball Kosova 2021.
Ndeshja e dytë gjysmëfinale ishte shumë interesante dhe fituesi u përcaktua vetëm në fund me treshet e Rilind Krasniqit që bombardonte nga çdo pozitë dhe e dërgoi SUHAREKEN në finalen e madhe e tek TURISTAT e Pejës, fati nuk ishte me ta sepse u eliminuan për vetëm dy pikë e SUHAREKA kaloi në finalen e madhe të POLI Streetball Kosova 2021.
FINALJA E MADHE – AIR FORCE ONE dhe SUHAREKA ishin dy skuadrat fatlume që luajtën në finalen e sivjetme. Një duel që nisi me kujdes nga të dyja ekipet dhe me baraspeshë, por që dallimi u bë tek përvoja e madhe e basketbollistëve të AIR FORCE ONE të prirë nga Albatrit Berisha e vazhduar me Besnik Azemin, Ujkan Karanezin e Diamant Shabanin të cilët dominuan finalen ndaj SUHAREKËS që kishte në përbërje djemtë e rinjë dhe fantastikë: Getoar Arifaj, Rilind Krasniqi, Taulant Krasniqi e Florint Fetiu.
Finalja e madhe u përmbyll me shifrat e përgjithshme, 21-14. Derisa ekipi i AIR FORCE ONE u shpallën kampionë të edicionit të 22-të Streetball Kosova.
Fituesit të turneut, kupën dhe shpërblimin me çekun e të hollava ia ndau drejtoresha e kompanisë që e ka të drejtën ekskluzive për distribucionin e ”POLIT” Perutnina Ptuj – Kosova në Kosovë, znj.Rabie Simnica.
Me finalen e madhe në kategorinë profesioniste, përfundoi edhe një edicion i suksesshëm i Shoqatës së Streetball Kosova që o e vazhdon traditën e madhe të këtij sportit në vendin tonë, atë të cilën e kemi sjellur dhe e kemi bërë të dashur për publikun në vendin tonë.
Me patjetër vlen të ceket se ky edicion i Streetball Kosovës u përkrah nga sponzori gjeneral POLI – Perutnina Ptuj – Kosova, sponzori i artë Golden Eagle Energy Drink, përkrahësi ynë i fuqishëm si çdoherë Komuna e Prishtinës, sponzorët medialë, Artmotion dhe Klan Kosova dhe sponzorët e tjerë, @Sporting, Phoenix Sport, ADS D – LINE dhe AsistiOnline.com
SHIHEMI NË EDICIONIN E ARDHSHËM!
/StreetballKosova – Facebook/
Komentet janë të mbyllura.