Basketboll

BESIM MAXHUNI VAZHDON KONTRATËN ME RAIDERS

Prishtinë(AsistiOnline) – Ish-basketbollisti i suksesshëm kosovar dhe tash trajner poashtu i suksesshëm që jeton dhe vepron në shtetin e Finlandës, Besim Maxhuni e ka vazhduar kontratën e tij me skuadrën aktuale.

Maxhuni do të mbetet edhe për së paku një stinor në krye të Raiders Basket, skuadër kjo që bën gara në Ligën e parë të Finlandës dhe ky vazhdim i bashkëpunimit është arritur falë faktit se të dyja palët janë ndarë të kënaqura deri tani.

Javën që shkoi ekipi i Raiders me në krye Besim Maxhunin e siguruan ”play off”-in e ligës, ku nga aty do të kërkojnë edhe inkuadrimin në Superligën e Finlandës.

”Nuk ishte e nevojshme të mendohej shumë për zgjatjen e marrëveshjes. Raiders janë një ekip shumë i mirë dhe kemi krijuar skuadër shumë të mirë së bashku. Unë kam qenë i lumtur dhe krenar që kam drejtuar Raiders që nga fillimi dhe njësoj mbetet edhe tash”, tha Maxhuni për faqen zyrtare të klubit pas rinënshkrimit.

Të kujtojmë se Maxhuni udhëheq edhe me skuadrën e juniorëve të Raiders, madje aty qëndron në vendin e parë në Superligë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.