Basketboll

Vëllaznimi arrin fitore të madhe në Prizren, ndryshimi i trajnerit jep rezultat

Vëllaznimi ka regjistruar fitoren e dytë këtë edicion, duke mundur Ponte Prizrenin në udhëtim me rezultat 71:88.

Në çerekun e parë zhvillohet lojë kryesisht e barabartë, ku mysafirët kishin epërsi deri në gjashtë pikë, megjithatë, vendasit nuk lejuan shkëputjen e tyre dhe këtë pjesë e fituan 26:23. Periudha e dytë ishte vendimtare në këtë sfidë. Pesë minutat e parë të kësaj pjese ishin të barabartë, por më pas kuqezinjtë u shkëputën, duke arritur epërsi prej 12 pikësh, për të shkuar në pushim me rezultat 43:55.

Në pjesën e dytë, vendasit bënë përpjekje maksimale që të rikthejnë rezultatin, por kuqezinjtë ishin të vendosur për fitore, duke dhënë 100 % nga vetja e tyre, duke thelluar epërsinë deri në 20 pikë, 68:88, ndërsa triumfuan në fund 71:88.

Duket se ndërrimi i trajnerit e dha impaktin e vet, për faktin se ditë më parë, Vëllaznimi e shkarkoi trajnerin Franko Sterle dhe momentalisht ekipin po e udhëheq ndihmësi i tij, Josip Plantak.

Vëllaznimi ka dy fitore e katër humbje, kurse Ponte Prizreni ka tri fitore e tri humbje.

Komentet janë të mbyllura.