Basketboll

Ylli arrin fitore historike në Evropë, mposht ish-pjesëmarrësin e Euroligës

Prishtinë(AsistiOnline) – Kampioni aktual i Kosovës, Golden Eagle Ylli ka arritur fitoren e parë dhe historike në kompeticionin evropian, FIBA Europe Cup.

Skuadra therandase triumfoi sonte në udhëtim te Bambergu i Gjermanisë me rezultat 78-81.

Që në start të ndeshjes, Ylli tregoi se e do fitoren shumë pasi e fitoi çerekun e parë (19-27), por Bambergu shpejtë u kthye në lojë dhe fitoi çerekun e dytë (20-9), gjersa dy ekipet shkuan në pushim me rezultat 39-36 për vendasit.

Në pjesën e dytë, vazhdoi loja e ngushtë me periodën e tretë që u mbyll baraz (24-24), por në periodën e fundit dhe vendimtare, Ylli arriti ta rikthejë avantazhin nga çereku i parë, për të marrë në fund fitoren e madhe dhe historike për klubin.

Katër basketbollistë arritën pikë dyshifrore në këtë triumf madhor të Yllit sonte, Rashun Davis me 19, Jay Threatt me 18, Malcolm Armstead me 13 dhe Bashir Ahmed me 10 pikë.

Ndërsa te Bambergu s’mjaftuan për fitore, Christian Sengfelder me 23 pikë e as Justin Wright-Foreman me 18 pikë.

Momentalisht, Ylli ka 2 humbje dhe 1 fitore në grupin A të FIBA Europe Cup e duelin e radhës e zhvillon në Izrael ndaj Galil Elionit.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.