Basketboll

NATYRALIZIMET E KOSOVËS

Prishtinë (AsistiOnline) – Çështja e basketbollistëve të natyralizuar nga shtetet që kanë Basketboll më pak të zhvilluar në vendet e tyre, tashmë po shkon në një trend drejt rritjes në shumë shtete të Botës.

Një nga shembujt konkretë është edhe Kosova e cila në vitet e fundit po përballet pashmangshëm me këtë situatë.

Në vitet e fundit, prej pranimit në FIBA e deri më tani, Kosova ka luajtur në parakualifikime por edhe kualifikime për Evropiane dhe Botërore, përkundër se nuk ka pasur ndonjë sukses të veçantë, reprezentacioni kosovar ka arritur të fitojë reputacionin e vet me identitet.

Një gjë e cila e ka prekur në masë të madhe ekipin e Kosovës, si shumicën e vendeve fqinje, me përjashtim Serbinë që ka zhvillim të jashtëzakonshëm në basketboll dhe nuk ka nevojë fare për natyralizime lojtarësh, Kosova dhe shumica e vendeve tjera të ballkanit përballen me këtë problem ndër vite.

Sa i përket Kosovës, problemet janë evidente. Nevoja për natyralizime është mëse e nevojshme, për disa arsyje të cilat janë të njohura për opinionin basketbolldashës.

Ndër to mund të jenë: Mungesa e punës me gjeneratat e reja, kushtet jo-adekuate të klubeve, mungesa e fondeve ose mjeteve financiare të klubeve por edhe mos-profesionalizimi i duhur i lojtarëve por edhe disa prej trajnerëve, pa dashur të kontestohet puna e askujt për faktin se çdokush punon në mënyrën e vetë dhe përparimet ose pasojat eventuale i bartë vetë.

Lojtarët që viteve të fundit janë natyralizur nga Kosova, janë jo të paktë në numër:

Justin Doellman që ka pasur një karrierë të madhe në Basketbollin Evropian, por i natyralizuar tek Kosova erdhi në vitet e fundit të karrierës dhe nuk arriti të lë kush e di sesa ndonjë gjurmë.

Pas tij, erdhën lojtarë me karrierë shumë më të zbehtë se Doellman, si rasti i De Shawn Jones që ka luajtur dhe luan nëpër ekipe të rangut 3-4 të Evropës, apo edhe Scott Bamforth që ashtu sikurse Jones, luan nëpër liga të cilat janë rangje më të ulëta se Euroleague apo Euro Cup.

Së fundmi, selektori i fundit i Kosovës Damir Mulaomerovic që njëherazi ishte edhe trajner i skuadrës së Prishtinës sivjet, ka kërkuar ta ketë në ekipin e Kosovës, një lojtarë amerikan që e kishte tek Prishtina, bëhet fjalë për organizatorin Divine Myles që luajti me shumë sukses tek Prishtina sivjet, sidomos pas largimit të fundorit tjetër Kyan Anderson në një ekip tjetër, në Gjermani.

Pra, sipas të gjitha gjasave në ndeshjet e fazës së tretë të parakualifikimeve për Eurobasket 2021, që Kosova do ti zhvillojë në Rahovec, selektori Mulaomerovic do ta përdorë si natyralizim, fundorin Divine Myles që pritet të sjellë jo pak freski tek Kosova.

Shpresojmë që Kosova të paraqitet sa më mirë në këto parakualifikime, njëkohësisht të rritet puna por edhe profesionalizmi me gjeneratat e reja dhe që për të ardhmen të kemi brumin e lojtarëve tanë dhe jo të natyralizojmë lojtarë, por ti shfrytëzojmë resurset, si një vend që njihet për prodhimin e talentëve në sport në përgjithësi.

 

Komentet janë të mbyllura.