Basketboll

Fetahu konfirmon se gjyqtarët e huaj rikthehen në gjysmëfinalen e fundit dhe për finale

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka thënë se nga gjysmëfinalja vendimtare mes Prishtinës dhe Trepçës, që zhvillohet të enjten, dhe në finale, do të ketë sërish gjyqtarë të huaj. Siç ka deklaruar Fetahu, delegimi i tyre është bërë para se të ndodhnin incidentet e fundit në basketbollin e Kosovës.

Basketbolli kosovar u trondit të shtunën. Sigal Prishtina përmes një komunikate ka shkruar se ka parandaluar kurdisjen e ndeshjes me Trepçën, që u luajt të enjten në kryeqytet. Atë ndeshje është dashur ta drejtojnë dy arbitra nga Greqia e një nga Kosova. Por në ditën e ndeshjes arbitrat grekë u larguan dhe tre gjyqtarë vendorë gjykuan. Ekipet e tjera pjesëmarrëse në “final-fourin” e Superligës, Trepça, Peja dhe Ylli mohuan menjëherë përfshirjen në këtë rast.

Edhe pse tre ndeshjet e fundit të plejofit u gjykuan nga gjyqtarët vendorë, kreu i FBK-së ka bërë të ditur se duke nisur nga ndeshja e së enjtes do të ketë sërish gjyqtarë të huaj në parket. Ka thënë se kanë marrëveshje me katër federata dhe se delegimi i gjyqtarëve është bërë në përputhje me kalendarin e garave.

“Sipas plani që kemi aktualisht, do të ketë gjyqtarë të huaj edhe në gjysmëfinalen e mbetur, edhe në finale. Kemi marrëveshje bilaterale me katër federata dhe gjyqtarët i kemi deleguar sipas kalendarit të garave”, ka thënë Fetahu në “Sporti në KTV”.

Ai ka thënë se vendimi për të sjellë gjyqtarë të huaj ka rrjedh nga vetë klubet pjesëmarrëse në plejof.

“Vendimi i FBK-së për gjyqtarët e huaj ka rrjedh prej vetë klubeve pjesëmarrëse. Jo për dyshimin për anësinë e gjyqtarëve vendorë, por për të mos cenuar investimin e madh që është bërë në basketboll. Klubet kanë thënë se niveli i gjyqtarëve nuk është në të njëjtin nivel me zhvillimin e basketbollit në parket. 5-6 gjyqtarë na u kanë larguar në stinorët e fundit, tash i kemi 8-9 gjyqtarë që mund të gjykojnë ndeshje të nivelit që po zhvillohet basketbolli. U konfirmua edhe në ndeshjen e sotme dhe atë të djeshme, se gjyqtarët vendorë mund ta kryejnë punën siç duhet”, ka shtuar Fetahu.

Fetahu ka thënë se është mjaft shpresëdhënëse reagimi i shpejtë i FBK-së dhe klubeve pas publikimit të komunikatës së Sigal Prishtinës për dy gjyqtarët grekë.

“Ka qenë e nevojshme të reagojmë shpejt dhe të tregojmë që jemi patolerancë ndaj rasteve të tilla. Ka qenë edhe si reagim parandalues”, ka thënë ai.

Kreu i FBK-së ka thënë se për rastin është njoftuar nga Sigal Prishtina. Ai ka deklaruar se e ka parë videon të cilën Sigal Prishtina pretendon që e ka ku shihen gjyqtarët grekë duke hipur në një veturë, por ka shtuar se nuk e posedon.

Fetahu ka thënë se që personi me të cilin janë takuar gjyqtarët grekë është “një person nga Mitrovica, i afërt me Trepçën, por nuk është brenda Trepçës”.

“Është dikush që besoj se ka pasur tendencën për përfitime të veta sepse shprehimisht është folur për ndikimin në rezultat ose ndonjë pjesë të tij. Shumica e rasteve të kurdisjeve në basketbolli, siç jemi trajnuar, bastet vihen për një çerek të caktuar dhe jo për rezultatin final”, ka thënë Fetahu.

Gjyqtarët grekë, sipas Fetahut, kanë thënë se nuk kanë pranuar asnjë mjet apo transaksion për kurdisje të mundshme. Por, siç ka deklaruar kreu i FBK-së, në momentin kur ka takime të tilla, konsiderohet që ka pasur shkelje etike. /Koha/

Komentet janë të mbyllura.