Ylli e mposht Trepçën me 1 pikë dallim dhe barazon serinë finale
Në një ndeshje të çmendur, Golden Eagle Ylli ka mundur Trepçën 80:79 (23:18, 18:16, 19:7, 20:38) për të barazuar serinë finale të “Play-off”-it 1:1.
Përballja ka qenë e jashtëzakonshme, me therandasit që kishin deri në 21 pikë epërsi, por mitrovicasit u rikthyen dhe dy herë ngushtuan shifrat në vetëm një pikë, por nuk ia arritën qëllimit të triumfojnë, derisa sfida është zhvilluar në një atmosferë të bukur sportive me tifozë nga Theranda dhe Mitrovica.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke fituar çerekun e parë 23:18, derisa me lojë të mirë vazhduan edhe në periudhën e dytë, për të ngritur më shumë epërsinë, për të shkuar në pushim me shifrat 41:34.
Ylli shkëlqeu në periodën e tretë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, për tu shkëputur në 60:40, kurse në fillim të dhjetëminutëshit ngritën epërsinë në 62:41, që ishte më e larta e ndeshjes. Por, nga ky moment mitrovicasit e nisën një seri të jashtëzakonshme, për të ngushtuar rezultatin në 72:71, për të bërë ndeshjen e çmendur. Therandasit sërish u shkëputën në 78:71, por ‘Xehetarët’ sërish u rikthyen për 80:79, por nuk arritën të bëjnë më shumë dhe Ylli barazoi serinë finale në 1:1.
Te vendasit u dalluan Jalen Nesbitt me 14 pikë, dhjetë kërcime e tri asistime dhe Alonzo Verge JR me 27 pikë, tri kërcime e katër asistime, kurse te mysafirët Mikaile Tmusiq kishte 17 pikë, tri kërcime e tri asistime.
Ndeshja e ardhshme zhvillohet të enjten në Mitrovicë, derisa kampion shpallet skuadra që shënon tri fitore.
Komentet janë të mbyllura.