Basketboll

Bora e mposht KEK-un në ndeshjen e parë të play out-it, i afrohet mbetjes në Superligë

Bora ka bërë një hap të madh drejt mbetjes në elitën e basketbollit të Kosovës, duke e fituar ndeshjen e parë të “play out”-it kundër KEK-ut.

Skuadra prishtinase triumfoi sonte në Kastriot me rezultat 73-109, duke krijuar epërsi të rëndësishme në garën për një vend në Superligën e Kosovës për edicionin 2025/26.

Desmond Cambridge me 22 pikë dhe Dion Haxhodaj me 18 të tjera ishin dy më të mirët në radhët e Borës, duke udhëhequr ekipin drejt një fitoreje shumë të vlefshme. Te KEK-u, më i dalluari ishte Reggie Clark me 14 pikë, por kjo nuk mjaftoi për ta ndalur Borën që shkëputi diferencën që në këtë ndeshje të parë.

Sipas formatit të “play out”-it, përballja zhvillohet në dy ndeshje, dhe skuadra që arrin koshaverazhin më të mirë në fund, do të sigurojë një vend në Superligë për edicionin e ardhshëm. Me këtë rezultat, Bora është më afër mbetjes në elitë, ndërsa KEK-ut i duhet një fitore bindëse në Prishtinë për të përmbysur gjithçka.

Takimi i dytë pritet të zhvillohet në kryeqytet, ndërsa KEK-ut do t’i duhet një paraqitje e jashtëzakonshme për të siguruar ngjitjen në Superligë.

Komentet janë të mbyllura.