Basketboll

Prishtina e mposht Vëllaznimin pas vazhdimeve dhe kualifikohet në gjysmëfinale

Në një super ndeshje të zhvilluar në kryeqytet me shumë emocione, Sigal Prishtina fitoi ndaj Vëllaznimit me shifrat 86:82 (18:16, 23:16, 16:21, 17:21, 12:8).

Bardhekaltrit me serinë 2:1 kalojnë në gjysmëfinale të “Play-off”-it të ProCredit Superligës.

Vendasit e nisën shumë mirë ndeshjen me një seri prej 7:0, por mysafirët u kundërpërgjigjën shpejt, duke barazuar shifrat në 14:14, ndërsa çereku i parë përfundoi 18:16. Në fillim të periodës së dytë ishte sfidë e baraspeshuar, por në katër minutat e fundit, bardhekaltrit u shkëputën në 41:32, sa përfundoi pjesa e parë.

Kryeqytetasit ngritën epërsinë në periodën e tretë, 51:39, megjithatë, kuqezinjtë u kthyen sërish, ku shifrat pas 30 minutash ishin 57:53. Drama vazhdoi në çerekun e katërt. 15 sekonda nga fundi, Jericole Hellems shënoi dy gjuajtjet e lira për 74:74, kurse më pas Jordan Davis i vendasve gaboi dy herë nga gjuajtje e lira, e më pas edhe nga gjuajtja e fundit nga loja, ku ndeshja shkoi në vazhdime.

Edhe në vazhdime u zhvillua ndeshje shumë interesante, por bardhekaltrit ia arritën qëllimit dhe u kualifikuan në gjysmëfinale, derisa rezultati përfundimtar ishte 86:82.

Më i miri te vendasit ishte Donte Clark me 19 pikë, pesë kërcime dhe tri asistime, kurse te mysafirët u dallua Jericole Hellems me 22 pikë e 13 kërcime.

Komentet janë të mbyllura.