Basketboll

Adis Beçiragiq pritet të mbetet në krye të Trepçës edhe për një sezon

Sipas të gjitha gjasave, Adis Beçiragiq do të vazhdojë të drejtojë Trepçën edhe për sezonin e ardhshëm.

Kjo është konfirmuar në një formë të tërthortë gjatë mbrëmjes festive të organizuar sonte nga klubi mitrovicas në sheshin qendror të qytetit, ku bashkë me tifozët po festojnë titullin e kampionit të Kosovës të fituar një ditë më parë.

Në këtë organizim festiv, ku nuk po mungojnë as emocionet dhe entuziazmi i tifozëve “Torcida”, u dha një sinjal i qartë se trajneri boshnjak do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit ambicioz të Trepçës. Edhe pse nuk pati një zyrtarizim të drejtpërdrejtë, fjalët e drejtuesve të klubit dhe mënyra si u prezantua Beçiragiq në skenë, lanë të kuptohet se vazhdimësia e tij në krye të skuadrës është thuajse e sigurt.

Adis Beçiragiq ka qenë figura kyçe e suksesit historik të Trepçës këtë sezon, duke e udhëhequr skuadrën drejt titullit pas një gare të fortë me Bashkimin e Prizrenit.

Klubi mitrovicas dhe tifozët e zjarrtë të saj duket se besojnë se Beçiragiq është njeriu i duhur për të vazhduar këtë rrugëtim të suksesshëm edhe në sezonet që vijnë. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.