Xhiro e 24-të e Superligës së Kosovës në Basketboll ka sjellë zhvillime të rëndësishme si në krye ashtu edhe në fund të tabelës.
Skuadra e Trepçës tashmë e ka siguruar zyrtarisht pozitën e parë në sezonin e rregullt, madje katër xhiro para përfundimit.
Mitrovicasit numërojnë 21 fitore dhe kanë krijuar epërsi prej pesë fitoresh ndaj vendit të dytë, Bashkimit të cilin e mposhtën edhe në fundjavë.
Në anën tjetër, gara mbetet e hapur për pozitën e tretë, ku po zhvillohet një betejë e fortë mes Borës, Golden Eagle Yllit dhe Pejës, skuadra që vazhdojnë të kërkojnë pozicionim sa më të mirë para fazës së “play-off”-it.
Ndërkohë, situata është bërë mjaft e ndërlikuar në fund të tabelës. Rahoveci arriti një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim ndaj Prishtinës, ndërsa Vëllaznimi pësoi humbje, duke e bërë edhe më interesante garën për t’i ikur fundit të renditjes.
Aktualisht, Prishtina renditet në vendin e gjashtë me bilanc prej 9 fitoresh dhe 15 humbjesh, ndërsa Vëllaznimi dhe Rahoveci ndajnë pozitat 7 dhe 8 me bilanc identik prej 8 fitoresh dhe 16 humbjesh.
Ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit
Orari i Rahovecit:
- Rahoveci – Peja
- Vëllaznimi – Rahoveci
- Rahoveci – Trepça
- Ylli – Rahoveci
Orari i Vëllaznimit:
- Bora – Vëllaznimi
- Vëllaznimi – Rahoveci
- Prishtina – Vëllaznimi
- Vëllaznimi – Peja
Orari i Prishtinës:
- Prishtina – Bashkimi
- Peja – Prishtina
- Prishtina – Vëllaznimi
- Trepça – Prishtina
Katër xhirot e fundit pritet të vendosin shumëçka, sidomos në pjesën e poshtme të tabelës, ku çdo fitore mund të jetë vendimtare në garën për mbijetesë. /AsistiOnline.com/



