EKSKLUZIVE NGA ASISTIONLINE: KRIJOHET “LIGA UNIKE” E CILA PËRKRAHET NGA FIBA EUROPE
KRYEMINISTRI RAMA ZBULOI LOGON E UNIKA-SË NË PREZENCË TË KRYETARIT TË FIBA EVROPËS, DEMIREL DHE DY MINISTREVE TË SPORTIT, SHAHINI DHE DUMOSHI
Saktësisht në ora 19:00, në ambientet e fushës së hapur të basketbollit në Sheshin Tre Vëllezërit Frashëri të Bulevardit të Kombit në Tiranë, nikoqiri i këtij takimi presidenti i FSHB-së Avni Ponari dhe kryetari i FBK-së Arben Fetahu, kanë nënshkruar marrëveshjen historike për themelimin e Ligës së basketbollit mes dy shteteve dhe e cila do të quhet “Liga UNIKE”.
Të pranishëm në këtë ceremoni historike ishin edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili edhe zbuloi logon zyrtare të Ligës UNIKE si dhe Kryetari i FIBA Evropës, Turgay Demireli i cili erdhi enkas për këtë ceremoni dhe për të dhënë mbështetjen e plotë të institucionit më të lartë të basketbollit evropian për këtë iniciativë e cila shihet si mënyrë e mirë për të zhvilluar tutje basketbollin e dy shteteve tona.
Po ashtu, të pranishme ishin edhe dy ministret, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë Besa Shahini dhe Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, Vlora Dumoshi si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ibër Alaj.
“Kjo është datë historike e cila unifikon sportin shqiptar në përgjithësi dhe basketbollin në veçanti, duke krijuar mundësi për zhvillimin dhe ngritjen e nivelit të basketbollit të dy vendeve tona”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ndërsa kryetari i FIBA Evropës Turgay Demirel u shpreh i lumtur me këtë iniciativë, sidomos në këto kohë pandemie kur basketbolli kudo ka nevojë për risi dhe forma të reja të bashkëpunimit për të ngritur interesimin por edhe nivelin e garave.
Në emër të dy Qeverive, ministret Shahini dhe Dumoshi u zotuan për përkrahjen e plotë të jetësimit të Ligës Unike ide kjo e kamotshme e zhvillimit të përbashkët të basketbollit në trevat shqiptare.
Liga Unike do të përbëhet nga tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria, sipas renditjes në momentin e ndërprerjes së kampionateve 2019/20 për shkak të pandemisë COVID19, në Kosovë e Shqipëri.
Ndër tjera, është me rëndësi të thuhet se sistemi i garave parasheh që ndeshjet e ndërmjet skuadrave të njëjtit shtet, në këtë rast po flasim për Superligën e Kosovës, do të vlerësohen si rezultate të kampionatit të Kosovës në basketboll, respektivisht Shqipërisë.
Me fjalë tjera, kur të takohen Prishtina dhe Peja në Ligën Mbarëkombëtare, rezultati i kësaj ndeshjeje automatikisht do të vlej edhe për Superligën e Kosovës.
gjitha këto bukuri dhe kënaqësi basketbolli do të mund të shikohen ekskluzivisht në adresën e vërtet të basketbollit në vendin tonë, ARTMOTION dhe televizionin numër 1 në vend, Klan Kosova.
Pa dyshim se me infuzionin dhe përkrahjen që e ka dhënë ARTMOTION, si platforma me programin më të pasur, më ekskluziv dhe më atraktiv sportiv në Kosovë, basketbolli kosovar ka filluar ringjalljen pasi kishte rënë kualiteti dhe interesimi.
Me revolucionin e basketbollit në vendin tonë të cilin e filloi Artmotion dhe duke mos harruar assesi kontributin e ASISTIT, emisionit të parë në histori të televizioneve shqiptare i cili i dedikohet basketbollit i cili u rikthye për ta ngritur basketbollin e Kosovës sikurse “Feniksin nga hiri”, ky sport ngadalë por sigurt po kthehet aty ku e ka vendin.
Krijimi i Ligës UNIKE Pa dyshim se është hap i rëndësishëm për basketbollin në hapësirat shqiptare dhe kjo nismë është përqafuar nga komuniteti i basketbollit në Kosovë e Shqipëri dhe më e rëndësishme, ka marr edhe përkrahjen e madhe nga FIBA Evropa dhe kryetari i saj Turgay Demireli i cili ishte në Tiranë për ta bekuar këtë nismë.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.