Basketboll

SUPERLIGA VJEN ME SUPERSFIDA NË MESJAVË

Prishtinë(AsistiOnline) – Super-sfida na presin në kuadër të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës, që zhvillohet gjatë kësaj mesjave.

Skuadrat elitare kosovare, që tash e dy xhiro e kanë nisur stinorin e ri, do të kenë përballje tejet të vështira mes vete që do të luhen, gjatë kësaj të mërkure dhe të enjte, pra nesër dhe pasnesër.

Xhiro e tretë e Superligës hapet në Mitrovicë, atje ku takohen Trepça e Golden Eagle Ylli me mitrovicasit që kanë pësuar dy disfata, nga dy ndeshje në stinorin e ri dhe me Yllin që nuk di për humbje, duke radhitur dy fitore, nga po aq ndeshje të luajtura. Ndeshja luhet të mërkurën dhe nisë nga ora 19:00.

Në duelin tjetër të së mërkurës, Ponte Prizreni që sivjet ka një humbje dhe një fitore e pret lideren e tabelës, Pejën që ka dy fitore, nga dy takime të luajtura sivjet dhe sfida pritet të jetë shumë interesante. Kjo sfidë luhet poashtu nga ora 19:00.

Të enjtën zhvillohet një duel tejet interesant, me Rahovecin që në ”Mizahir Isma” e pret Sigal Prishtinën, skuadra këto që para pak ditëve u ndeshën edhe në kuadër të Superkupës e ku fituese doli skuadra e Prishtinës. Ndërsa në elitë që të dyja e kanë nisur stinorin me nga një fitore e nga një humbje. Ndeshja fillon nga ora 19:00.

Dhe ndeshja përmbyllëse e xhiros së tretë, zhvillohet në ”Sezai Surroi” të Prizrenit, ku Bashkimi me një fitore e një humbje, deri tani e pret Vëllaznimin e Gjakovës që në fillim të stinorit ka pësuar dy disfata, nga po aq ndeshje të luajtura. Edhe kjo ndeshje nisë në ora 19:00.

Të gjitha ndeshjet transmetohen direkt në Platformën më atraktive në vendin tonë, Art Motion. Ndërsa rezultatin pas çdo çereku për të gjitha ndeshjet, por edhe raportet finale të tyre mund ti gjeni në portalin e vetëm në mbarë trojet shqiptare, dedikuar ekskluzivisht basketbollit, AsistiOnline.com.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.