Basketboll

TREPÇA ARRIN FITOREN E PARË SEZONALE, YLLI PËSON HUMBJEN E PARË

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Trepçës e ka arritur fitoren e parë sezonale, sonte ndaj Golden Eagle Yllit.

Mitrovicasit kanë arritur fitore me shumë mund, sonte në ”Minatori” ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat të ngushtë dhe minimal, 71-70.

‘Xehtarët’ e nisën shumë më mirë sesa therandasit ndeshjen, duke i fituar tri periodat e para të ndeshjes(21-14, 26-21, 15-14), por që në periodën e fundit të duelit, Ylli ndezi motorët dhe e fitoi këtë çerek thellë(9-21), duke e barazuar rezultatin fillimisht e më pas edhe e mori avantazhin në sekondat e fundit, por që në aksionin e fundit të ndeshjes, Burim Zekiqi ishte hero i ‘minatorëve’ sonte, kjo pasiqë realizoi kosh-faul dhe i’a siguroi fitoren e parë të stinorit ekipit të tij.

Më meritorët në fitoren e Trepçës sonte ishin: Mojeed Ewuosho me 20 pikë, 8 kërcime e 7 asiste, Kalin Fisher me 15 pikë, Burim Zekiqi me 12 pikë e Devin Haygood me 11 sosh.

Tek Ylli sonte s’mjaftuan për fitore, Cody John me 22 pikë, si dhe Valon Bunjaku e Samir Zekiqi me nga 14 pikë.

Trepça sonte e arriti fitoren e parë sezonale, karshi dy disfatave. Ndërsa, Ylli pësoi disfatën e parë, karshi dy fitoreve.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.