Basketboll

YLLI MPOSHT PRISHTINËN, NGJITET PËRKOHËSISHT NË KRYE TË TABELËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Golden Eagle Yllit e ka mposhtur Sigal Prishtinën në ndeshjen e mbetur nga xhiro e katërt e Superligës së Kosovës.

Therandasit kanë triumfuar në udhëtimin e tyre të sontëm në kryeqytet me rezultatin final të ndeshje që ishte shumë interesante, 70-87.

Ndeshja nisi me shumë kujdes nga të dyja skuadrat dhe kjo bëri që çereku i parë të mbyllet baraz, 22-22. Ndërsa në çerekun e dytë, Ylli u tregua për një noancë më i mirë se vendasit(16-22) dhe shkoi në pushimin mes pjesëve me 6 pikë avantazh, 38-44.

Loja e ngushtë mes skuadrave, vazhdoi edhe në pjesën e dytë me Yllin që e fitoi edhe këtë periodë minimalisht, 19-21. Ndërsa çereku i fundit ishte fatal për Prishtinën, sepse Ylli e fitoi atë me 9 pikë dallim(13-22) dhe që i shërbeu për ta fituar krejtësisht dhe sigurtë ndeshjen.

Në këtë fitore të Yllit sonte, pikë dyshifrore arritën tre lojtarë: Valon Bunjaku me 21 pikë, 8 asiste e 5 kërcime, Cody John me 20 pikë e Samir Zekiqi me 18 pikë. Nga 9 pikë i shënuan edhe Leonard Mekaj e Daniel Regis.

Tek Prishtina s’mjaftuan për fitore, Fisnik Rugova me double-double(23pk, 12krc, 5ast), Arian Qallaku me 16 pikë dhe Edmond Azemi me 12 pikë.

Pas kësaj ndeshje, skuadra e Yllit ngjitet në pozitën e parë në tabelë së paku përkohësisht, me 9 pikë, 4 fitore e 1 humbje. Ndërsa, Prishtina gjendet e fundit me vetëm 5 pikë të grumbulluara, 3 disfata e 1 fitore, por edhe 1 ndeshje më pak të zhvilluar.

/AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.