Basketboll

PAS 5 HUMBJEVE RADHAZI, RAHOVECI FITON DERBIN NDAJ YLLIT

Prishtinë(AsistiOnline) – Pas plotë 5 disfatave rresht, Rahoveci më në fund është rikthyer te fitoret në Superligën e Kosovës në Basketboll.

‘Vreshtarët’ kanë fituar derbin e madh ndaj GGolden Eagle Yllit me rezultatin e ngushtë dhe final, 67-72, në një ndeshje që ishte e jashtëzakonshme dhe me shumë kthesa në rezultat.

Ishte pikërisht skuadra e Rahovecit ajo që e nisi më mirë derbin, duke e fituar çerekun e parë, 17-21. Ndërsa, çereku i dytë i takoi Yllit poashtu me 4 pikë dallim, 18-14 dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë, 35-35.

Në pjesën e dytë, Ylli e nisi më mirë duke e fituar ngushtë çerekun e tretë, 17-14. Përderisa, Rahoveci në çerekun e fundit dhe vendimtar arriti të këndellet, duke e fituar këtë periudhë, 15-23 dhe e cila i solli fitoren e shumëpritur pas një kohe të gjatë, madje në derbi ndaj Yllit.

Individët më të dalluar në fitoren e Rahovecit sonte ishin: Isaiah Traylor me 16 pikë, Arian Qallaku me 14 pikë, Alban Veseli me 13 pikë e Altin Morina së bashku me Marvin Jonesin me nga 11 pikë.

Te Ylli s’mjaftuan për fitore, Erjon Kastrati me 19 pikë, Valon Bunjaku me 18 pikë e as Demetris Morant me 12 pikë e 16 kërcime.

Pas xhiros së 21-të, Rahoveci ngritet në krye të tabelës me 34 pikë, 13 fitore e 8 humbje. Ndërsa, Ylli mbetet i 2-ti me 33 pikë, 13 fitore e 8 humbje dhe me një ndeshje më pak.

Në xhiron e radhës, Rahoveci takohet me Vëllaznimin e Ylli e pret Ponte Prizrenin.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.